Botë

Trumpi nxit zemërim teksa e përmend Floydin gjatë adresimit rreth papunësisë

Foto: Reuters

Teksa u lavdërua për shenjat e reja, të befasishme për përmirësimin e shkallës së të papunëve gjatë muajit maj – pavarësisht parashikimeve më të zymta – presidenti amerikan, Donald Trump, gjeneroi kritika kur e përmendi emrin e afro-amerikanit të vdekur nga brutaliteti policor, George Floyd.

Ai shkaktoi reagime dhe zemërim kur tha se Floydi do të ishte i kënaqur se shifrat rreth papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përmirësuar krahasuar me muajt e mëparshëm. E këto komente, ai i bëri teksa SHBA-ja është mbërthyer të dhjetën ditë radhazi nga protestat e furishme kundër racizmit, nxitur pikërisht nga vdekja e Floydit gjatë arrestimit nga policia në Minneapolis.

“Shpresoj, George është duke na shikuar nga lart tani dhe po thotë: ‘Kjo është gjë e mrekullueshme që po i ndodh vendit tonë’”, ka thënë ai duke folur nga oborri i Shtëpisë së Bardhë.

Ky koment i tiji u kritikua menjëherë nga ish-nënpresidenti, Joe Biden, rivali i supozuar demokrat i Trumpit në zgjedhje, i cili potencoi se fjalët e fundit të Floydit ishin: “Nuk mund të marrë frymë”.

Floyd ka vdekur më 25 maj si pasojë e asfiksimit, pasi një polic i racës së bardhë ia kishte mbajtur gjurin në qafë për më së nëntë minuta gjatë arrestimit lidhur me një bankënotë false 20-dollarëshe.

“Që presidenti të mundohet t’ia vërë ndonjë fjalë tjetër në gojë George Floydit, unë sinqerisht mendoj se është përçmuese”, ka thënë Bideni gjatë një ngjarjeje në Delaware. Trumpi, i cili llogariti në fuqinë ekonomike për forcimin e gjasave të rizgjedhjes në nëntor, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike mund të pengohet nga taksat më të larta dhe zbatimi i planit të ri të gjelbër për klimën, nëse demokratët e fitojnë Shtëpinë e Bardhë.

Këto ai i tha pasi Departamenti i Punës e publikoi raportin për vendet e punës në maj, në të cilin thuhet se shkalla e të papunëve ka rënë në 13.3 për qind nga 14.7 sa ishte në prill, rënie kjo e befasishme pasi ekonomistët kishin parashikuar rritje deri në 20 për qind.

“Kjo është një ditë e madhe për të, është ditë e madhe për të gjithë. Është ditë e madhe në aspektin e barazisë”, ka thënë Trump, duke iu referuar Floydit.