Botë

Administrata Trump do t’i ndalojë fluturimet e aeroplanëve kinezë

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën se do t’i ndalojë aeroplanët kinezë të pasagjerëve që të udhëtojnë për në SHBA, duke filluar nga 16 qershori, duke i bërë presion Pekinit që të lejojë aeroplanët amerikanë të fluturojnë për në Kinë, shkruan agjencia Reuteres.

Lëvizja, që është bërë e ditur nga Departamenti i Transportit i SHBA-së, ndëshkon Kinën, pasi Pekini ka dështuar t’i bindet marrëveshjes ekzistuese për fluturime mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Marrëdhëniet mes dy shteteve janë acaruar në muajt e fundit, pas tensioneve në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Urdhri vlen për “Air China”, “China Eastern Airlines Corp”, “China Southern Airlines Co” dhe “Hainan Airlines Holding Co”.

“Delta Air Lines” dhe “United Airlines” ka kërkuar që të rikthehen fluturimet për në Kinë këtë muaj, ndonëse aeroplanët kinezë kanë vazhduar të fluturojnë në SHBA gjatë pandemisë.

“Delta” në komunikatë të mërkurën ka thënë se përkrah dhe vlerëson veprimin e qeverisë së SHBA-së. Kina nuk është në gjendje të thotë se kur do të rishikojë rregullat për të lejuar aeroplanët e SHBA-së që t’i rikthehen fluturimeve të pasagjerëve.