Han Jong-sun e ka ende të kthjellët kujtimin e momentit kur ishte rrëmbyer bashkë me motrën.
Ishte një ditë e bukur vjeshte më 1984 dhe Han, asokohe tetë vjeç, po i gëzohej udhëtimit të shumëpritur në një qytet të vendit, bashkë me babanë rëndom të zënë me punë. Por babai i Hanit kishte ende disa punë për të kryer, andaj vendosi se gjëja më e shpejtë – dhe më e sigurt – për të bërë ishte që t’i linte fëmijët me një polic në një nënstacion, për disa minuta.
Ama, ai polic do ta ndante përherë familjen.
“Një autobus ndaloi para nënstacionit policor dhe ne u futëm me forcë në autobus”, kujton Han ngjarjen e para 30 vjetësh. “Polici i këmbeu disa simbole që nuk i njihja me njerëzit që dilnin nga autobusi. Nuk e kishim asnjë ide pse po na merrnin. ‘Babi na tha që të prisnim këtu! Babi po vjen!’. E ne po qanim dhe bërtisnim”, kujton ai, teksa shtoi se burrat pastaj nisën që t’i rrihnin për të mos bërtitur.
Autobusi po i dërgonte ata në Hyungje Bokjiwon, një pronë private që zyrtarisht njihej si qendër e mirëqenies. Por në realitet, bazuar në pretendimet e të mbijetuarve, ishte kjo një qendër brutale e burgimit ku mbaheshin të mbyllur me mijëra persona kundër vullnetit të tyre – disa për vite radhazi.
Sipas dëshmive dhe të dhënave të mbledhura nga vendi, të burgosurit pretendojnë të jenë shfrytëzuar aty si forcë punëtore për zonat e ndërtimit, për punë në ferma dhe fabrika. Krejt kjo gjatë viteve ‘70 dhe ‘80. Ata po ashtu janë torturuar e përdhunuar, teksa me qindra kanë vdekur nën kushte çnjerëzore. Prona në Hyungje Bokjiwon është krahasuar me një kamp përqendrimi, por rrëfimi për të nuk është aq i njohur dhe askush – deri sot e kësaj dite – nuk është mbajtur përgjegjës për krimet që raportohen të kenë ndodhur përbrenda mureve të tij.
E për Hanin dhe motrën e tij, mbërritja aty ishte fillimi i një makthi që do të zgjaste tre vjet e gjysmë dhe që do ta ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e jetëve të tyre.
“Projektet e pastrimit shoqëror”
Në vitet ‘80, Koreja Jugore po përparonte ekonomikisht. Kishte shënuar rritje të pashembullt, duke i kapërcyer vrazhdësitë e Luftës Koreane të të ’50-ave, pas së cilës Gadishulli Korean u nda në veri dhe jug. I gjithë vendi ishte në ethe në prag të Lojërave Aziatike të 1986-s dhe Olimpiadës së Seulit më 1988, dhe Qeveria kishte nisur të bënte përpjekje për përmirësimin e imazhit të vendit.
Por prapa së ashtuquajturës “Mrekulli e Lumit Han” fshihej një realitet brutal dhe i errët.
Në prill të 1981-s, një letër mbërriti në zyrën e asokohe kryeministrit Nam Duck-woo. Letra, e shkruar me dorë nga presidenti Chun Doo-Hwan, një ish-gjeneral që e kishte marrë pushtetin përmes një puçi ushtarak të para një viti, urdhëroi autoritetet të “shtypnin lypsarët dhe ndërmerrnin masa mbrojtëse ndaj mashtruesve”.
Me urdhëresën që lejonte burgimin arbitrar të endacakëve, u krijuan qendra të mirëqenies sociale dhe autobusët me shenjat “Automjet i transportimit të endacakëve” nisën të shfaqeshin në qytetet e mëdha si Busan.
Këto qendra, kryesisht private, merrnin subvencione nga Qeveria bazuar në numrin e njerëzve që strehonin. Ndërkohë, policët thuhet të jenë shpërblyer për “pastrimin” e rrugëve, duke i dërguar njerëzit në këto qendra. Të pastrehët, fëmijët bonjakë dhe madje qytetarët e thjeshtë që nuk i kishin dokumentet e identifikimit me vete, janë dërguar në këto qendra në kuadër të “Projekteve të Pastrimit Shoqëror”.
Hyungje Bokjiwon ishte më e madhja prej tyre, jo fort larg një zone banimi në qytetin port Busan. Pronari Park In-guen pretendonte se qendrat ishin krijuar për ushqimin, pajisjen me veshje dhe arsimimin e të pastrehëve.
Në letër, akëcili prej personave që mbërrinte në këto qendra duhej të mbahej brenda për një vit, të trajnoheshin dhe të riktheheshin në shoqëri. Në realitet, shumica e tyre takuan miqtë dhe familjarët më 1987, kur qendrat u mbyllën pasi ikja e më se 30 të burgosurve e dha alarmin për realitetin përbrenda katër mureve të tyre.
“Jetë burgu”
Choi Seung-woo, një tjetër i mbijetuar i Hyungje Bokjiwon, ishte 13 vjeç kur u kap nga rruga, teksa shkonte në shkollë.
“Një polic më tha të ndaloja dhe filloi të ma kontrollonte çantën”, tha ai për BBC-në. “E kisha një gjysmë rriskë buke, pak çka më kishte mbetur nga dreka që më kishin dhënë në shkollë. Ai më pyeti ku e kisha vjedhur bukën. Më torturoi, m’i dogji gjenitalet me shkrepëse. Vazhdoi të më rrihte dhe të më thoshte që ta pranoja ‘krimin’”, tregon ai. “Vetëm që të më linte të shkoja në shtëpi, gënjeva. ‘E vodha, e vodha. Të lutem më lejo të shkoj...”.
Dhjetë minuta pasi e pranoi krimin që nuk e kishte bërë, mbërriti një kamion-frigorifer dhe ai u fut forcërisht brenda. Choi tha se ishte ky fillimi i “jetës së tij burgu”.
I kaloi pothuajse pesë vjet në Hyungji Bokjiwon, ku pa – dhe përjetoi – dhunë brutale seksuale e fizike. Për t’i mbajtur të burgosurit nën kontroll, tha ai, qendrat kishin aranzhuar një lloj ushtrie të përbërë nga togjet e të burgosurve.
E kur mbërriti në këtë qendër, Han tha të ishte vetëm tetë vjeç dhe më i riu në togun e tij.
Ai tregon se si nga “ferri” ku kishte përfunduar, shumë njerëz ëndërronin ikjen dhe se mes tyre ishte edhe ai vetë. Por shtoi se kjo gjë ishte pothuajse e pamundur, shkaku i rojave të shumta dhe një mburoje më se 7 metër të lartë.
Nëse provonit, dështimi ishte opsion real, tha ai.
“Dhe e dija se nëse dështoja në përpjekjen për ikje, do të rrihesha për vdekje”, shtoi Han. \ BBC