Botë

Partitë opozitare italiane nuk i përmbahen rregullit të distancës sociale gjatë protestës në Romë

Partitë opozitare italiane dhe qindra përkrahës nuk kanë përfillur rregullin e distancës sociale të martën, duke mbushur rrugët në Romë në një protestë anti-qeveritare, shkruan agjencia Reuters.

Me më tepër se 233 mijë raste të konfirmuara, Italia është një nga shtetet që është goditur më së rëndi nga pandemia e koronavirusit dhe qeveria vetëm së fundi ka vendosur që gradualisht të heq masat kufizuese që i kishte vendosur në fillim të majit për të parandaluar përhapjen e virusit.

Demonstrata është organizuar nga partitë e djathta “League”, “Vëllezërit e Italisë” dhe “Go Italy”, për të protestuar kundër kolacionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Giuseppe Conte.

Në xhirimet e transmetuara në rrjetet sociale janë parë protestuesit duke marshuar afër njëri-tjetrit me një flamur të madh italian, drejt “Piazza del Popolo”, qendrës së Romës historike.

Disa nga protestuesit nuk mbanin fare maska, që janë të detyrueshme në Itali kur nuk është e mundur të mbahet distanca sociale mes njerëzve.

Lideri i “League”, Matteo Salvini, ka bërë selfie me tifozët dhe ka folur për gazetarët duke mbajtur rreth qafës një maskë me ngjyra të flamurit italian.

“Unë kam një mask, por ekspertët po thonë se virusi po vdes”, ka thënë Salvini, duke iu referuar një deklarate të profesorëve italianë se koronavirusi po e humbet fuqinë.

Protestat janë organizuar pikërisht më 2 qershor, në ditë pushimi, ku festohet votimi në favor të krijimit të Republikës pas Luftës së Dytë Botërore.

Protesta e opozitës është mbajtur ndërsa presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka vizituar Codognon, një qytet të vogël në veri të Italisë, shtëpi e pacientit të parë të Italisë me koronavirus. Në Itali kanë vdekur më tepër se 33.500 persona nga koronavirusi.

“Sot po festojmë atë që mban shtetin tonë të bashkuar: forcën morale. Këtu është vendi ku duam të fillojmë sërish”, ka thënë Mattarella.

Salvini ka thënë se qeveria po tregohet e shurdhër ndaj kërkesave që ka bërë opozita.