Botë

Spanja vazhdon kufizimet deri më 21 qershor

Foto: Reuters

Kryeministri i Spanjës ka bërë të ditur të dielën se do të kërkojë nga parlamenti që ta miratojë zgjatjen e fundit dy-javore të gjendjes emergjente, që pritet të vlejë deri më 21 qershor, pas së cilës datë Qeveria nuk do ta kufizojë më lëvizjen e qytetarëve, ka raportuar gazeta El Pais.

Kryeministri Pedro Sanchez u ka thënë udhëheqësve rajonalë gjatë një video-konference se ky do të jetë kufizimi i fundit derisa numri i infektimeve në Spanjë është zvogëluar dukshëm.

Numri i vdekjeve në këtë shtet u rrit për 4 të shtunën dhe arriti në 27.125, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, gjë që pasqyron një rënie të madhe të numrit të të vdekurve, teksa Spanja po e merr nën kontroll pandeminë e koronavirusit, transmeton KOHA.

Numri i infektimeve me Covid-19 u rrit për 271 brenda natës dhe arriti në 239.228 të shtunën.

Spanja, një nga shtetet më të prekura nga Covid-19, e shpalli gjendjen emergjente më 14 mars, që përfshiu rregulla të rrepta izolimi, ku njerëzve u lejohej të dilnin nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqim, të kërkojnë ndihmë mjekësorë ose për punët të cilat nuk mund t’i bënin nga shtëpitë.

Në fillim, fëmijët ishin të mbyllur tërë ditën në shtëpi. Kufizimet tani gradualisht u lehtësuan.