Botë

Numri i të vdekurve në Angli, 41 për qind më i lartë sesa raportohej

Shifra e vërtetë e të vdekurve nga COVID-19 në Angli dhe Uells është për 41 për qind më e lartë, sesa tregojnë të dhënat ditore të ofruara nga Qeveria britanike, deri më 10 prill.

Këtë gjë e sugjeruan të martën të dhënat e fundit, në të cilat përfshihen të vdekurit nga komunitetet, raporton KOHA.

Zyra kombëtare për Statistika ka evidentuar 13 mijë e 121 të vdekur deri më 10 prill, krahasuar me 9 mijë e 288 sa ka raportuar Qeveria në bazë ditore, duke i llogaritur vetëm fatalitetet nëpër spitale. COVID-19, sëmundja respiratore e shkaktuar nga koronavirusi i ri, është përmendur si shkaktar i vdekjes në më se një të tretën e certifikatave të vdekjes, të lëshuara në Angli dhe Uells deri më 19 prill.

Në Londër, më shumë se gjysma e certifikatave të vdekjes përmendin këtë sëmundje, si shkas i vdekjeve.