Botë

Koronavirusi ka ngritur popullaritetin e liderëve - por kjo nuk zgjat shumë

Presidenti, Emmanuel Macron, asnjëherë fort popullor, ka prekur majat e mbështetjes në Francë prej shpërthimit të koronavirusit. Dhe me Italinë të dërrmuar nga pandemia, kryeministri Giuseppe Conte ia doli të gëzonte përkrahjen e 71 për qind të të anketuarve, një ngritje prej 27 për qind.

Edhe në Britani, ku kryeministri Boris Johnson nuk pati reagim të fuqishëm, pastaj u sëmurë rëndë, Qeveria po gëzon mbështetjen më të madhe për dekada me radhë. Nuk ka asgjë më të mirë se një krizë për t’i mobilizuar qytetarët rreth liderëve të tyre. Kur njerëzit janë të hutuar ose të frikësuar, priren t’u besojnë qeverive të tyre, sepse të besosh se edhe vetë qeveritë janë të hutuara dhe të frikësuara, e lëre më edhe të pazonja, është e tepërt për ta duruar.

Pandemia pasohet nga hakmarrja politike

Halli është nëse kjo përkrahje do të zgjatë edhe pas zbutjes së krizës, kur kritikat do të ngrihen e politika normale do të dominojë.

Zakonisht, kjo nuk zgjat shumë. Hetimet zyrtare për gabime dhe lëshime do të pasojnë shumë shpejt, dhe votuesit, nëse lejohen, do të hakmerren, madje edhe ndaj liderëve më efikas. Dhe është e sigurt të thuhet se shumë prej atyre që tashmë ia kanë dalë të gëzojnë bum të mbështetjes, nuk kanë qenë fort efikas nëse marrim për bazë shifrat e frikshme të viktimave të koronavirusit si rezultat i gabimeve dhe lëshimeve të pafalshme të liderëve. Paqartësitë mund të demonstrohen më së miri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur presidenti Donald Trump, në një vit të ngarkuar zgjedhor, shënoi një ngritje të vogël të mbështetjes, por nuk zgjati shumë për shkak të mënyrës së paqartë të reagimit të Shtëpisë së Bardhë kundrejt pandemisë, transmeton KOHA.

“Instinkti fillestar është të shkosh pas flamurtarit, sepse është jopatriotike dhe e padobishme të mos bashkohesh me turmën”, ka thënë Mark Leonar, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme. “Por shoqëritë nuk mund të mbahen përherë të mobilizuara. Padyshim se do të ketë një plogështi, dhe njerëzit do të shtrojnë më shumë pyetje të vështira”.

Rreziku nga flluska e popullaritetit të përnjëhershëm

George Robertson, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe ishsekretar britanik i Mbrojtjes, e ka thënë troç: “Njerëzit mobilizohen shpejt, por mobilizimi davaritet shpejt”. Por tani për tani, së paku, shumica e liderëve të qeverive kanë shënuar ngritje të madhe të mbështetjes popullore derisa po përballen me hatanë natyrore me të cilën janë sfiduar, megjithëse në disa raste ata me vendimet e tyre të kalkuluara keq ose me pazotësi vetëm sa e kanë përkeqësuar gjendjen.

Dikush mund të pretë se prej lidershipit kompetent do të përfitohet më së shumti. Kështu ka ndodhur kryesisht në shtetet, veçmas në Evropën Veriore, të cilat imponuan masa të ashpra qysh në fillim, që këtë javë rezultuan me përpjekje për rihapje. Në Austri, ku punëtorëve të kthyer në vende të punës po u kërkohet mbajtja e maskave, mbështetja për kancelarin Sebastian Kurz ka shënuar ngritje për 77 për qind, me një ngritje prej 33 për qind. Ngjashëm, kryeministri holandez, Mark Rutte, gëzon mbështetje prej 75 për qind, me ngritje prej 30 për qind. Në kohën kur fëmijët po kthehen në shkollë dhe qeveria e saj po i përgatit danezët për një rihapje fazore që mund t’i duhen disa muaj, kryeministrja Mette Frederiksen ka shënuar ngritje të mbështetjes popullore nga 40 në 79 për qind. qind, në 79 për qind.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.