Botë

Gjendja e Boris Johnsonit po shkon drejt përmirësimit

Foto: Reuters / ilustrim

Gjendja shëndetësore e kryeministrit britanik “vazhdon të përmirësohet” pas natës së tretë në kujdesshin intensiv me koronavirus, ka thënë zëdhënësi i tij të enjten.

Johnsoni po vazhdon të marrë “trajtim standard me oksigjen” dhe ka falënderuar stafin shëndetësor për kujdesin e mrekullueshëm, tha më tej zëdhënësi, raporton CNN.

“(Johnson) pati një natë të mirë dhe vazhdon të përmirësohet”, shtoi zëdhënësi. “Është me disponim të mirë”.

Rishi Sunak, ministri britanik i Financave, tha dje se Johnsoni po “qëndron ulur në shtrat dhe po bisedon pozitivisht me stafin e klinikës”.

“Lajmi për kryeministrin tregon se sa jodiskriminues është virusi”, shtoi ai, transmeton KOHA.

55-vjeçari u dërgua në spital të dielën pasi shfaqi simptoma të rënda dhjetë ditë pasi doli pozitiv me virusin.

Të hënën, gjendja shëndetësore e Johnsonit u përkeqësua dhe u dërgua në kujdesin intensiv, por të martën u tha se gjendja e tij ishte stabile.

Ai nuk pati nevojë për ventilim mekanik apo invasiv dhe nuk kishte pneumoni, tha Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab, i cili po e zëvendëson kryeministrin.