Me pandeminë e koronavirusi që është përhapur anembanë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka krizë botërore për furnizim me material mbrojtës për personelin mjekësor, si maskat dhe dorëzat.
Shumë shtete kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po mundohen të plaçkitin porositë e tyre, por ende mbetet e paqartë se kush çfarë po bën.
Në Francë, njerëzit kanë nisur t’i referohen si “Guerre des masques” – apo lufta e maskave, dhe të premten zyrtarët gjermanë kanë ngritur gjithashtu dyshime kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton KOHA.
Andreas Geisel, zyrtar i lartë i shtetit të Berlinit, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një veprim të “piraterisë moderne”, duke akuzuar se kanë përvetësuar porosinë për dyqind mijë maska të porositura nga policia e Berlinit. Gjermanët thonë se amerikanët ua ndërruan drejtimin maskave derisa po kalonin transit nëpër Bangkok, ka raportuar CNN.
“Kjo nuk është mënyra se si bashkëpunoni me partnerët transatlantikë”, ka thënë Gaisel, duke shtuar se “edhe në kohë të krizës globale, nuk duhet të përdoret asnjë metodë e ‘perëndimit të egër’”.
Në një raport të një mediumi gjerman thuhet se në porosinë gjermane ishte përfshirë edhe kompania amerikane 3M. Por 3M i ka deklaruar të premten CNN-së se kompania “nuk kishte dëshmi që sugjeronte se produktet e 3M ishin konfiskuar. 3M nuk ka të dhëna të ndonjë porosie respiratorësh nga Kina për policinë gjermane”.
Qeveritë e shteteve të ndryshme po hezitojnë që të lejojnë eksportimin e pajisjeve mjekësore shumë të kërkuara tani.
Të premten, ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, ka thënë se një porosi për ventilatorë, për të cilët janë kryer edhe pagesat, është bllokuar në Turqi.
Kryeministri francez, Edouard Philippe ka folur për “vështirësitë që nganjëherë po i kemi për t’iu qasur produkteve të porositura që nuk po dërgohen gjithnjë. Kjo po ndodh për një mori arsyesh, përfshirë kërkesën e madhe që vjen për Kinën nga Shtetet e Bashkuara, nga Evropa dhe në të vërtetë nga mbarë bota”.
Presidentit e dy rajoneve në Francë kanë akuzuar konsumatorët amerikanë – pa specifikuar kë – se po mundohen t’u paguajnë kinezëve tre ose katërfishë më shtrenjtë se çmimi real që të marrin materialet e porositura nga të tjerët.