Për herë të parë, një pacient amerikan është prekur me koronavirusin e ri e që nuk dihet ende se prej nga ka ardhur virusi.
Pacienti nga Kalifornia nuk kishte udhëtuar askund që mund të ketë pasur virus, ka thënë Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve. Madje, pacienti as që kishte pasur kontakt me dikë që ka qenë i infektuar.
Kjo do të thotë se ky mund të jetë rasti i parë në SHBA “i përhapjes së virusit në komunitet”, kur burimi i infeksionit është i panjohur.
Banori i qarkut Solano ishte dërguar në qendrën mjekësore “UC Davis” javën e kaluar, por nuk ishte testuar për koronavirus deri të dielën, sipas një letre të dërguar të mërkurën te stafi i “UC Davis” e të cilën e ka siguruar CNN.
Spitali ka kërkuar që pacienti të testohet për koronavirus, por pacienti “nuk i përshtatej kritereve ekzistuese të CDC-së” për testim të tillë, shkruan në letër, transmeton Koha.net.
Natyra misterioze e këtij rasti është signifikante, ka thënë Dr. Dean Blumberg, specialist i sëmundjeve infektive në “UC Davis”.
“Kjo do të thotë se virusi gjendet në komunitet, dhe kjo do të thotë se, parimisht, të gjithë jemi të rrezikuar”, tha ai për KCRA. “Nuk e dimë se kush e bartë atë. Nuk e dimë se nga kush mund ta marrim atë.
Personi që ia ka bartur pacientit të “UC Davis” virusin, “me gjasë e ka bartur edhe te persona tjerë”, ka thënë Blumberg.
Në SHBA deri tani janë konfirmuar 60 raste të prekura me koronavirusin e ri.