Shefi i WikiLeaks-it provoi ta kontaktonte Hillary Clintonin Foto: Reuters

Shefi i WikiLeaks-it provoi ta kontaktonte Hillary Clintonin

26 February 2020 21:48

Julian Assange ka tentuar të vinte kontakte me Hillary Clintonin dhe Shtëpinë e Bardhë, kur kuptoi se dokumente të paredaktuara diplomatike, që i ishin ofruar WikiLeaks-it, do të publikoheshin në internet.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij, gjatë seancave dëgjimore në Londër për përcaktimin nëse ai duhet apo jo të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton KTV.

Washingtoni ka kërkuar ekstradimin e Assanget për 18 akuza të ngritura ndaj tij për hakimin e kompjuterëve të Qeverisë amerikane. Ai ngarkohet edhe për spiunim rreth bashkëpunimit me asokohe ushtarin amerikan, Bradley Manning, për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete në WikiLeaks.

Në gjykimin e së hënës, avokati që përfaqëson SHBA-në, tha se Assange i ka vënë në rrezik jetët e njerëzve në Irak, Iran dhe Afganistan. Kjo ngase shumica e atyre që ndihmuan vendet perëndimore janë zhdukur që prej publikimit të dokumenteve.

Avokati Mark Summers ka thënë po ashtu se, akuzat që Assange i ndihmoi Manningut në thyerjen e fjalëkalimeve të kompjuterëve qeveritarë dhe inkurajimin e vjedhjes së dokumenteve, janë të pavërteta.

Gjatë procesit gjyqësor në Londër, avokati ka pranuar se WikiLeaks-it i ishin ofruar një sërë dokumentesh nga Manningu në prillin e 2010-s. Pastaj ai bëri marrëveshje me mediat më të njohura botërore për publikimin e tyre, por në versionin e redaktuar.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme