Botë

Grimca të dyshimta gjenden në aeroplanin 737 Max

Kriza e gjigantit ajror, Boeing, po vazhdon të përkeqësohet pasi që janë gjetur grimca mbeturinash në sistemin e furnizimit me karburant te disa aeroplanë të rinj “737 MAX” që po prisnin të shpërndaheshin nëpër kompanitë ajrore.

Kryesuesi i programit të Boeing 737, u ka thënë punëtorëve se zbulimi i këtij problemi është i papranueshëm. E një zëdhënës ka thënë se kompania këto grimca nuk i sheh si problem për shtyrjen e rikthimit të aeroplanëve 737 Max. Ky model është lënë jashtë përdorimit qysh se janë evidentuar dy aksidente fatale.

Zbulimi i këtyre grimcave është bërë teksa ekipi i Boeingut po bënte kontrolle të zakonshme të modeleve që po qëndrojnë në garazhin e kompanisë. Këto grimca janë substanca që nuk janë pjesë të aeroplanit e që mund të shkaktojnë dëme të mëdha.