Botë

Belgjika pezullon ekstradimin e Puigdemontit në Spanjë

Shteti belg nuk do t’i ekstradojë në Spanjë liderët separatistë të Katalonjës, Carles Puigdemont dhe Toni Comin, derisa Parlamenti Evropian të mos marrë një vendim lidhur me kërkesën e Madridit rreth heqjes së imunitetit të dy eurodeputetëve, ka njoftuar gjykata belge.

Avokati i dy politikanëve katalonjas, Simon Bekaert, ka konfirmuar vendimin e gjykatës së Brukselit për shtyrjen me afat të pacaktuar të ekstradimit, raporton KTV.

Puigdemont, ish-lider i Katalonjës, dhe Comin, njëri prej ish-ministrave të rajonit, kishin ikur nga Katalonja në fund të tetorit të 2017-s, shkaku i akuzave të ngritura ndaj tyre për iniciativën e shpalljes së pavarësisë së rajonit nga Spanja.

Që atëherë Madridi ka kërkuar ekstradimin e liderëve të përfshirë në organizimin e referendumit dhe më pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së rajonit nga Spanja.

Si rrjedhojë, Puigdemont dhe Comin ikën në Belgjikë, ndërsa në maj të vitit të shkuar u zgjodhën deputetë të Parlamentit Evropian, si përfaqësues të partive separatiste nga Katalonja.