Botë

1,669 të vdekur nga Covid-19, rreth 69 mijë të infektuar

Foto: Reuters

Numri i rasteve të koronavirusit të ri është rritur në mbi 69,000 të prekur në mbarë botën, ndërsa dje u raportua për vdekjen e parë nga Covid-19 në Evropë.

Të dielën në mëngjes u raportua se të prekur nga virusi në Kinë janë 68,500 raste, një rritje prej 2,009 nga dita e shtunë. Autoritetet shëndetësore kineze kanë regjistruar 142 vdekje gjatë ditës së shtunë, duke e sjellë numrin total global në 1,669, që të gjitha të regjistruara brenda territorit të Kinës, përpos 4, raporton CNN.

Vdekja e parë jashtë Azisë u regjistrua në Francë të shtunën: një turist kinez 80 vjeçar i cili po trajtohet për Covid-19 që nga 25 janari. Vdekje janë regjistruar edhe në Hong Kong, Filipine dhe Japoni, transmeton Koha.net.

Deri më tani, pothuajse 9,500 pacientë me koronavirus janë trajtuar dhe liruar nga spitalet në Kinë, kanë thënë autoritetet shëndetësore kineze.

Ndërkaq, siç raporton Reutersi, masat që i ka ndërmarrë Kina për të frenuar përhapjen e koronavirusit janë duke filluar të kenë ndikim, ka thënë të dielën Mi Feng, një zëdhënës në Komisionin Kombëtar Shëndetësor.