Botë

Ish-ambasadorja Yovanovitch me akuza ndaj administratës Trump

Foto: Reuters

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, ka thënë se administrata e presidentit Donald Trump ka përqafuar politika të jashtme amorale që funksionojnë përmes kërcënimit, frikës dhe hutisë për ta fituar besimin e shteteve tjera.

Yovanovitch, që ishte figura kyçe në hetimet e procesit për shkarkimin e Trumpit, bëri paraqitjen e parë qëkur presidenti e largoi nga posti kur ai vetë u shpall i pafajshëm për dy akuzat e ngritura ndaj tij, për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të hetimeve të Kongresit, transmeton KTV.

Ish-ambasadorja ka deklaruar se diplomacia amerikane duhej ta lejonte ta bënte atë që di më së miri e jo të bjerë në ndikimin e agjencive diplomatike që janë nën ombrellën e politikës. Ajo ka kërkuar me këtë rast që politikat e jashtme të bazohen në fakte.

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, këto deklarata i bëri teksa u nderua me çmimin për “cilësi të shkëlqyer diplomatike”, nga Universiteti i Georgetownit.