Autoritetet kineze e kanë pranuar se kanë pasur mangësi në kuadër të reagimit ndaj përhapjes vdekjeprurëse të koronavirusit. Pranimi i rrallë erdhi nga Komiteti i Përhershëm i Byrosë Politike, i cili bëri thirrje për përmirësim të sistemit të menaxhimit të urgjencës në Kinë.
Ky komitet gjithashtu urdhëroi që të ashpërsohet lufta ndaj tregjeve të paligjshme të mishit, aty ku mendohet se virusi është shfaqur. Numri i vdekjeve është rritur në 425, me më shumë se 20,000 raste të konfirmuara, transmeton KTV.
“Në përgjigje të mangësive, ne duhet të përmirësojmë sistemin tonë kombëtar të menaxhimit të urgjencës dhe të përmirësojmë aftësitë tona në trajtimin e detyrave urgjente dhe të rrezikshme,” thuhet në raport.
Vetëm të hënën, pati 5 mijë raste të reja dhe 64 pacientë vdiqën. Përhapja ka vazhduar edhe jashtë Kinës. Raste të reja janë konfirmuar në Hong-Kong, Macao dhe Taiwan.