Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Mark Esper, ka mohuar raportimet se ushtria amerikane po përgatitet të largohet nga Iraku pasi Parlamenti irakian votoi për të dëbuar forcat e amerikane nga vendi.
Mohimi vjen pasi disa media raportuan për një letër të pretenduar nga gjenerali i trupave detare, William Seely, i cili mbikëqyr operacionet në Irak, duke lajmëruar zyrtarët irakianë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të planet për të lëshuar vendit.
Para gazetarëve në Pentagon, Esper mohoi ndonjë njohuri për letrën dhe tha se Departamenti i Mbrojtjes është duke u interesuar mbi këtë çështje.
“Ne po mundohemi të zbulojmë nga vjen, çfarë është. Por, ndonjë veprim për të lëshuar Irakun nuk është marrë”, tha Esper.
Në letrën e pretenduar nga mediat, Seely i shkruan zv/drejtorit të Komandës së operacioneve të përbashkëta të Irakut, Abdul Amir, duke e lajmëruar atë se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të “gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të ri-pozicionojë forcat për t’u përgatitur për lëvizjen e mëtejshme”.
Siç raportohet, Seely citon në mënyrë të veçantë votimin e parlamentit irakian të së dielës, kur ligjvënësit votuan për të kërkuar tërheqjen e SHBA-ve dhe forcave të huaja nga vendi pas sulmit ajror amerikan që vrau komandantin e lartë ushtarak të Iranit në Bagdad.
“Ne e respektojmë vendimin tuaj sovran për të urdhëruar largimin tonë”, shkroi Seely në letër, kopjet e të cilës qarkulluan në mediat sociale.
Kryeministri i përkohshëm i Irakut, Adel Abdul Mahdi, gjatë ditës së kaluar njoftoi të dërguarin e SHBA-së në Bagdad për vendimin e fundit të parlamentit.
Sipas një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, pas takimit midis kryeministrit Mahdi dhe të dërguarit amerikan, Matthew Tueller, Mahdi theksoi domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët për “zbatimin e tërheqjes së forcave të huaja në përputhje me vendimin e parlamentit irakian”.
Mahdi theksoi “seriozitetin e situatës aktuale dhe pasojat e mundshme”, duke theksuar se Bagdadi po bën “çdo përpjekje për të parandaluar rrëshqitjen në një luftë të hapur”.
Takimi erdhi pasi të premten në një sulm ajror me dron amerikan në Irak u vra Qasem Soleimani, kreu i forcës elitare të Gardës Revolucionare Quds të Iranit.
Vdekja shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh herë kanë qenë të nxehta që në vitin 2018 kur presidenti amerikan, Donald Trump, në mënyrë të njëanshme vendosi të tërheq Washingtonin nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.
Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar i dha Soleimani-n nderin më të lartë të vendit, u zotua për “hakmarrje të rëndë” në përgjigje të vrasjes së tij.
Pentagoni akuzoi Soleimani-n për komplot të një sulmi në ambasadën amerikane javën e kaluar, si dhe për planifikime për të kryer sulme të tjera ndaj diplomatëve amerikanë dhe anëtarëve të shërbimeve në Irak.
Administrata e presidentit Trump nuk ka bërë publike ndonjë intelegjencë të përdorur si bazë për kryerjen e vrasjes së Soleimanit.