Konservatorët e Austrisë, që prihen nga kancelari Sebastian Kurz, kanë arritur marrëveshje që për herë të parë në histori, të bashkëqeverisin me Partinë e të Gjelbërve në këtë shtet.
Partia Popullore e Kurzit, deri në muajin maj, ishte në koalicion me partinë e djathtë ekstreme, por skandali i shefit të partisë së “Lirisë” detyroi Kurzin të ofronte dorëheqjen.
Partia e kancelarit fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit shtator të vitit 2019, por me muaj të tërë ishte në bisedime me Partinë e të Gjelbërve, që për herë të parë në histori të Austrisë, hyn në qeveri si parti e krahut të majtë, raporton Reuters, transmeton KTV.
Lideri i të Gjelbërve, Werner Kogler, pas marrëveshjes qeverisëse, ka deklaruar se Austria duhet të bëhet lidere evropiane në çështjen e krizës klimatike.
Përveç problemeve me ngrohjen globale, qeveria e re e Kurzit është pajtuar që t’i ulë taksat në përgjithësi, por do t’i rrisë ato të ambientit e që janë në vijë me politikat e të Gjelbërve.
Kurzi pritet të kthehet në postin e kancelarit, ndërsa Kogler do të jetë zëvendëskancelar. Nga 15 ministri sa ka kjo qeveri, katër prej tyre do t’i drejtojnë të Gjelbrit.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, partia ekstreme e “Lirisë”, u bashkua në qeveri me partinë e Kurzit.
Ky koalicion u shemb në muajin maj, kur kryetari i të djathtëve ekstrem, Heinz-Christian Strache, u kap duke ofruar kontrata shtetërore te një grua që shtirej si mbesa e një oligarku rus.