Koreja e Veriut po vazhdon ta sfidojë faktorin ndërkombëtar, sa i përket pasurimit bërthamor dhe raketor. Shteti komunist ka kryer një tjetër test të lëshimit të satelitit, për ta forcuar programin strategjik bërthamor.
Ky ishte testi i dytë për këtë javë, ndërsa i pari u realizua më 7 dhjetor dhe u cilësua nga Qeveria koreano-veriore si i rëndësishëm dhe i suksesshëm, raporton KTV.
Raportimet për realizimin e testeve të tilla vijnë përpara përfundimit të afatit njëvjeçar që Koreja e Veriut i ka vendosur SHBA-së, për të hequr dorë nga çarmatimi i njëanshëm.
E bisedimet mes SHBA dhe Koresë së Veriut rreth programit nuklear, mbeten të ngrira.
Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Korenë e Veriut, Stephen Biegun, të dielën do të qëndrojë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.
Derisa presidenti amerikan Donald Trump, ka thënë se ende shpreson të arrijë marrëveshje me veri-koreanët.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh të mërkurën me kërkesën e SHBA-së, për ta diskutuar programin e armëve të Koresë së Veriut mes tensioneve në rritje. E Koreja e Veriut e quajti takimin provokim serioz.
Së fundmi, edhe SHBA-ja e testoi një raketë balistike me rreze të mesme mbi Oqeanin Paqësor. Kjo armë do të ishte e ndaluar në bazë të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, nga i cili presidenti Trump u tërhoq në fillim të këtij viti.