Florenti, 42 vjeç, kishte hequr jelekun e shpëtimit të jetës, e kishte hedhur në dysheme e “Ocean Viking”, anije për shpëtimin e emigrantëve në ujërat mesdhetare, dhe mbushi gjoksin me frymë para se të ulërinte.
Menjëherë hodhi shikimin përpjetë, me gishtat tregues drejt qiellit, e njëherësh lotët po i rridhnin faqeve, shkruan Al Jazeera, përcjell në shqip Koha Ditore. Ky ishte një moment i dyzuar ankthi dhe çlirimi. Lotët po ia njomnin lëkurën e tharë të fytyrës. Sytë i ishin skuqur, jo vetëm prej traumës së përjetuar midisi ujërave të pafundme, ku kishte kaluar tridhjetegjashtë orë pasi që kishte kaluar pesë vjet në burgjet e tmerrshme në Libi.
Ferri libian
“Nëse vdes tani, nuk do të më mbetet më asnjë peng. Ia kam dalë të arratisem i gjallë prej Libisë. Ishte si në ferr. Ferr e përtej ferrit”, i thotë Florenti nga Kameruni “Al-Jazeeras” pasi ai dhe 89 emigrantë dhe refugjatë të tjerë janë shpëtuar nga një gomone e stërmbushur midis Mesdheut.
“Nëse rojat detare libiane do të vinin tani në anije, do ta përplasja kokën për atë muri, do ta prisja fytin dhe do të hidhesha në det. Ashtu do të isha larg më mirë se të kthehesha në Libi”, ka deklaruar burri me zërin e mekur, pavarësisht se në fytyrë kishte një qeshje të lehtë. Dhimbja e stresi i asaj agonie që zgjati pesë vjet e kanë bërë të veten. Krejt këto vjet i kaloi në shtetin e Afrikës Veriore.
Prapa Florentit ishte Karimi (emrat e të cilëve janë ndryshuar për shkaqe sigurie). Karimi është një gjashtëmbëdhjetëvjeçar nga Bregu i Fildishtë. Ëndrra e tij është që të luajë futboll në Evropë. Vetëm për këtë qëllim ishte arratisur më 2016 nga shtëpia, pa iu treguar prindërve.
I veshur me fanellën e klubit italian nga Torino “Juventus”, Karimi është një djalë me qeshje të madhe në fytyrë. Krejt ky gëzim i ka ardhur prej aksionit të shpëtimit. Edhe ai po pret në radhë që të regjistrohet.
“E shihni këtë”, tregon ai me gisht kraharorin e tij, “ky është vendi ku një libian më theri kur i kërkova para për punën që e bëra te ai”.
Ai pastaj tregon këmbën e djathtë dhe thotë: “Këtu më qëlluan derisa po prisja për punë në Tripoli”. “Atje mbisundon kaosi. Gjithsecili ka armë dhe thika me vete. Nuk ka kurrfarë të drejtash për njerëzit me ngjyrë, madje as për ata që janë therur e qëlluar”.
(Më gjerësisht në shqip, mund të lexoni në Koha Ditore)