Botë

Britania, e pavendosur mes dy kandidatëve jo bindës

Britanikët kanë kaluar ditën e fundit të fushatës së zgjedhjeve – të tretave brenda katër vjetësh dhe kanë dy opsione të vështira – liderë kundërthënës nga dy partitë kryesore.

Ngjashëm si në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, kur në garë ishin dy kandidatë jo bindës – tre vjet më vonë situatë e njëjtë është me kandidatët Boris Johnson nga Partia Konservatore dhe laburistin Jeremy Corbyn.

Britanikët duan që pas këtyre zgjedhjeve të marrë fund drama e BREXIT-it dhe të ketë qetësi pas kaosit politik të viteve të fundit.

Këto janë zgjedhjet e para të Johnsonit si kryeministër. Janë zgjedhje, të cilat vetë i ka kërkuar, por fushata e tij pati shumë pengesa.

Këtë më së miri e tregoi në ditën e fundit të saj, kur për t’i ikur gazetarëve, u detyrua të kthehej në një “frigorifer” derisa ndihmësi i tij përdori fjalë fyese për pyetjet që bëri një gazetar.

Krikët kanë vënë në dyshim besueshmërinë e tij kur Johnsoni gjatë tërë kohës është orvatur që t’i bindë britanikët se mund ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian deri kah fundi i janarit, transmeton KTV raportin e Reutersit.

Përveç BREXIT-it, Johsonit nuk i shkuan për dore as premtimet për çështjet e brendshme. Temë shumë e diskutuar ishte shëndetësia që vitet e fundit është lënë anash nga qeveria konservatore.

Dëmi më i madh që iu bë atij në ditët e fundit të fushatës ishte publikimi i një fotografie të një katërvjeçari që qëndronte i shtrirë në korridorin e një spitali në Leeds.

Për shkak se nuk kishte krevat për të, i sëmuri katërvjeçar ishte mbështjellë me batanije dhe ishte shtrirë në korridor.

Edhe pse Partia Konservatore kërkoi falje për gjendjen e djaloshit, ndaj tyre kishte akuza se incidenti ndodhi për shkak të sistemit të dobët shëndetësor në Britani. Kësaj i ndihmoi edhe më shumë një veprim i Johnsonit kur refuzoi ta shikonte fotografinë që ia shfaqi një gazetar i ITV-së.

Kryeministri Johnson refuzoi të gjitha debatet televizive në Britani, madje edhe debatin për ndryshimet klimatike në Kanalin 4 që u përkujdes për një befasi jo të këndshme për të.

Në vendin ku ishte parashikuar të qëndronte Johnsoni, televizioni ia vendosi një copë akulli duke u shkrirë.

Ngjashëm si Johnsoni, fushatën nuk e kaloi mirë as laburisti Jeremy Corbyn. Mesazhet e tij të përziera dhe kontradiktore, refuzimi që laburistët të jenë parti për qëndrim në bllokun evropian, ia kanë rrënuar kredibilitetin.

Duke tentuar që me qëndrimet e tij të mbesë në dy taborët, për të mbetur dhe për të dalë nga BE-ja, Corbyn ka sjellë pakënaqësi te shumë votues.

Për këtë shkak, në javën e fundit të fushatës, çështjen e BREXIT-it nuk e ka përmendur fare, por ka vendosur që të flasë më shumë për investimet në shërbimet shëndetësore.

Ai, gjithashtu, është akuzuar për adresim jo të duhur kundër anti-semitizmit brenda partisë dhe duke përjashtuar zëra më modern të partisë.

Të enjten, shumë votues britanikë, pa marrë parasysh animet politike, do të analizojnë ngjarjet e dekadës së fundit dhe do të pyesin nëse gjatë kësaj kohe ka ndryshuar Britania. E, në zgjedhjet e 12 dhjetorit do të shihet se çfarë forme do të marrë ishulli i trazuar.

Sondazhet e së mërkurës kanë treguar se gara është shumë e ngushtë dhe për dallim prej ditëve tjera, fitorja nuk është më e sigurt për Johsonin.