Demokratët shpallin akuzat për shkarkimin e presidentit Trump Foto: AP

Demokratët shpallin akuzat për shkarkimin e presidentit Trump

10 December 2019 20:21

Në SHBA, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve shpallën të martën dy akuza në procesin e ndërmarrë prej tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të radhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha Nadler, raporton VOA.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë shumica. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme