Kongresistët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, përmes një konference të jashtëzakonshme, i kanë paraqitur dy nene në kuadër të hetimeve kundër presidentit amerikan, Donald Trump.
Demokratët e kanë akuzuar kreun e Shtëpisë së Bardhë për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, transmeton KTV. Akuzat e tyre formale u bënë një ditë pas seancës dëgjimore përfundimtare në Komisionin për Drejtësi, ku të dyja palët i kundërshtuan pretendimet e njëra-tjetrës në një atmosferë mjaft të tensionuar.
Përndryshe, demokratët po tentojnë të dëshmojnë se presidenti Trump e ka shkelur ligjin dhe e ka rrezikuar sigurinë kombëtare. Rasti ka të bëjë me kushtëzimin që ia bëri Ukrainës për ndihmat ushtarake prej 400 milionë dollarëve.
Sipas demokratëve, qeveria ukrainase u kushtëzua me ndërprerje të ndihmave nëse nuk fillon hetimet kundër rivalit politik të Trumpit, Joe Biden, dhe të birit të tij, i cili më parë kishte punuar në Ukrainë.