Botë

Mrekullitë e Oqeanit Indian

Drunjtë e bukur, e të gjatë të palmave, u bëjnë hije shtëpive të vogla me mure prej dheu dhe me çati prej kashte, që krijojnë një imazh sikur je kthyer në mesjetë.

Megjithatë, kjo nuk është një përrallë, por realitet që takon ditëve të sotme kur merr rrugën për të veruar në bregun e Oqeanit Indian, në njërën ndër qytezat afrikane që shtrihen buzë bregut të oqeanit. Është pikërisht qyteza Watamu, e cila është pjesë e territorit të Kenias, shtetit që në juglindje ka dalje në Oqeanin Indian. Dhe bregu i oqeanit është një ekspeditë unike dhe e paharrueshme për vizitorët e huaj, shkruan Koha Ditore.

Në të gjen bukuritë e pafundme të natyrës tek gërshetohen me zhvillimet e kohës në moderne, që përcillen me ndjesinë e atraktivitetit dhe frikës midis të panjohurave, siç është afektimi me sëmundjen e malaries, e cila vazhdon ende të jetë prezent në vendet e ngrohta afrikane.

Por frikën nga pickimi i mushkonjave, të cilat janë i vetmi bartës i sëmundjes së malaries tek njerëzit, sikur e mund eksplorimi i panoramës mahnitëse që ofron bregu i oqeanit.

Buzë bregut të oqeanit, me rërë të bardhë, janë të vendosur shtretërit po ashtu të bardhë prej lëkure, që ofrojnë komoditet të skajshëm. Atyre u bëjnë hije gjethet e mëdha të druve të bukur të palmave dhe kokosit, pa pasur nevojë të vihen çadra mbi ta, për ata që duan t’iu shmangen rrezeve të diellit.

Ndërsa mbi drunjtë e palmave lozin pa ndalur majmunët, në të cilët mund të hasësh ngado që shkon. Ata janë atraksion i paparë, veçmas për fëmijët. Të shikojnë në sy, dhe madje edhe të afrohen, veçanërisht kur shohin se po mban një celular në dorë.

Ndaj nëpër resorët e bregut të oqeanit ekziston thënia se “majmunët janë hajna të celularëve”.

Por majmunët shpejtonin të afroheshin edhe nëpër tavolinat e ngrënies. Jo rrallë herë ata merrnin ushqimet e servuara për vizitorët, dhe në vrap për t’u larguar thyenin edhe ndonjë pjatë, apo gotë që ua zinte rrugën.

Kishin dëshirë të madhe të hynin nëpër dhomat e vizitorëve, të cilat në resorin e madh të pronarit italian ishin dizajnuar të jenë si shtëpi të vogla të ndara nga njëra- tjetra, dhe ishin vetëm dykatëshe.

Majmunët i hetonin shpejt dritaret apo dyert e hapura të dhomave, dhe me shpejtësi turreshin për t’u futur brenda, duke kërcyer mbi shtretër e tavolina. Ndonjëherë në ikje i merrnin me vete gjësendet e turistëve.

Por, me këto sjellje ata i bënin edhe më tërheqëse verimet në këtë anë të botës, ku mbizotërojnë paragjykimet se ka vetëm sëmundje e varfëri dhe ku mund të ketë dyshime se ka vend për kaq shumë bukuri e atraktivitet.

Ndërkohë që përtej rërës së bardhë, majmunëve dhe palmave fantastike, të pret një tjetër befasi nga oqeani.

Si gati askund tjetër, brenda pak orësh gjatë ditës, do të shohësh se si oqeani thahet deri në disa kilometra në brendi, dhe pastaj rikthehet sërish duke vërshuar deri në disa metra bregun e tij. Sipas gojëdhënave, tharja e tij dhe rikthimi i ujit të oqeanit janë të ndërlidhura direkt me lëvizjen e diellit dhe hënës.

Por, në ndërkohë që oqeani thahet, ecja mbi shtresat nënujore të tij është një gjë unike. Aq shumë befasi të presin në këtë ikje, saqë është e vështirë të zgjedhësh cilën do ta shikosh së pari. Kafshët e detit mund t’i marrësh e t’i mbash në duar, t’i shikosh se janë të gjalla dhe si lëvizin, e si e bëjnë jetën nën ujë.

Pa dyshim që yjtë e detit ishin më të bukurit. Ata mbanin të hapur krahët e tyre të kuq, mbi duart e vizitorëve që i marrin për t’i parë. Shkëlqejnë si diamant të kuq në duart e bardha të tyre. Ndërsa iriqët e detit nuk guxon t’i marrësh në dorë, thoshin vendorët, të cilët pa të pyetur fare nëse ke nevojë për ciceron u viheshin pas vizitorëve duke i shoqëruar në rrugën këmbë mbi oqean. Ecnin zbathur, pa çka se rruga ishte e rrezikshme për vizitorët, prandaj duhej të ecnin mbathur me sandale.

Ciceronët e paftuar fusin duart nëpër vrimat ku mund të jenë fshehur kafshët e detit pas tharjes së oqeanit. E njihnin mirë këtë anë të natyrës që rrethonte jetën e tyre të përditshme, dhe ecnin me kilometra bashkë me vizitorët, vetëm që të shpërbleheshin në fund me disa qindarka shilinga kenianë.

Ecja në këmbë mbi oqean mundëson të shohësh iriq deti, gaforre të mëdha, të gjalla, e çka jo tjetër. Rrugëtimi të çonte madje edhe te shkëmbinjtë e mëdhenj, që shtrihen si ishuj midis oqeanit. Tek kur uji kthehej në brigjet e tij, vizitorët habiteshin se sa larg kishin udhëtuar këmbë nëpër oqean. Ecja mund të vazhdohej deri kur takoje valët e mëdha të oqeanit që përplaseshin brigjeve të shkëmbinjve të ishujve. Aty takoje ndonjë vizitor të rrallë që merrte guximin të futej në valët e ujit të oqeanit. Në to, mbase nuk rekomandohej të gjendesh kur oqeani të kthejë ujin, pas tharjes.

Në qytezën Watamu “vizitorët e bardhë” janë të zakonshëm për banorët me ngjyrë që jetojnë aty. Shumica e resorëve edhe janë krijuar nga evropianët, kryesisht italianë, që janë edhe pronarë të tyre. Andaj edhe shumica nga vizitorët nuk janë njerëz me ngjyrë. Edhe ushqimi që ofrohet vjen nga menyja italiane.

E për të shkuar deri këtu, udhëtimi me tren është një tjetër atraksion që ofron Kenia për vizitorët e saj. Hekurudha kalon mes për mes parkut nacional, ku rriten e jetojnë lloje kafshësh të ndryshme, që janë shpallur si specie dhe zona të mbrojtura të vendit. Parku nacional i Najrobit, kryeqytet i Kenias, është shpallur zonë e mbrojtur që nga viti 1946, duke u shndërruar kështu në zonën më të vjetër natyrore. Në të, përpos shumë lloje kafshësh të egra, jetojnë edhe 400 loje të shpezëve. Ky park shtrihet në 44 mijë e 359 kilometra katrorë, dhe konsiderohet zonë e shtazëve të egra duke qenë nën mbrojtjen e shtetit.

Antilopë, luanë, zebra, drerë, gjirafa e kafshë të tjera mund të shihen fare qartë nga treni. Ato rrinin të grupuara nëpër familjet e tyre, dhe sikur ishin mësuar me lëvizjet e trenit që nuk iu bënte aspak përshtypje.

Rrugëtimi me tren përfundon në portin e Mombasës, e cila po ashtu është e njohur për atraksionin që u ofron vizitorëve. E vetmja sfidë e këtij atraksioni është mushkonja e malaries, e cila jeton kryesisht në vende të ngrohta, kur temperaturat nuk bien nën 20 gradë celsius asnjëherë gjatë vitit. Ndonëse edhe për të, tashmë ka preventivë dhe shërim.