NATO-ja shënon 70-vjetorin e përfshirë nga zënkat e brendshme

Agron Bajrami Agron Bajrami 03 December 2019 20:38

Takimi i liderëve të NATO-s po mbahet në Londër në 70-vjetorin e krijimit të Aleancës, por disponimi në mesin e krerëve të 29 shteteve anëtare nuk është aspak festiv.

Zënkat e javëve të fundit mes krerëve të shteteve të NATO-s janë shfaqur qysh në fillim të takimit në Londër, të martën.

Ka qenë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kritikuar hapur deklaratat e kohëve të fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili në një fjalim para pak javësh e vlerësoi Aleancën ta ketë “trurin e vdekur”, raporton KTV nga Londra.

Të martën, në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Trumpi tha se Aleanca “shërben për një qëllim të madh”.

I pyetur t’i komentojë deklaratat e Macronit, presidenti amerikan tha se ato ishin deklarime “shumë mosrespektuese”, duke e ndërlidhur deklarimin e Macronit me situatën ekonomike në Francë, transmeton KTV.

“Është një deklaratë shumë, shumë e pavend. Mendoj se ata kanë një nivel të lartë të papunësisë në Francë. Franca nuk i ka fare punët mirë ekonomikisht”, tha Trump. “Është një deklaratë shumë e rëndë për t’u bërë kur i ke punët aq vështirë në Francë, kur e sheh se çfarë po ndodh. Ata e kanë pasur një vit shumë të rëndë. (Por) nuk mund të ecësh vërdallë duke dhënë këso deklarata për NATO-n. Ishte shumë jorespektuese”, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, në kuadër të serisë së takimeve bilaterale mes krerëve të NATO-s, Trump takoi edhe presidentin Macron, i cili megjithatë nuk hoqi dorë nga komentet e bëra më parë.

Macron tha se NATO-ja duhet t’i ketë të qarta qëllimet e saj qenësore. Duke hedhur kritika në drejtim të Turqisë, presidenti francez, i cili tashmë e ka akuzuar Ankaranë se po bashkëpunon me aleatë të Shtetit Islamik, tha se NATO-ja madje nuk po mund të merret vesh as për definicionin themelor se çka është terrorizmi.

“Armiku i përbashkët sot janë grupet terroriste. Më vjen keq ta them, por ne nuk e kemi definicionin e njëjtë për terrorizmin rreth tavolinës sonë”, tha Macron në Londër. “Kur e shikoj Turqinë, ata po luftojnë kundër atyre që luftuan me ne krah për krah kundër Shtetit Islamik (ISIS) dhe nganjëherë ata bashkëpunojnë me aleatë të ISIS-it”, tha ai.

Kritikat e tilla ka kohë që nuk i pëlqejnë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili insiston që NATO-ja të pranojë cilësimin e formacioneve kurde YPG si grup terrorist.

“Nëse shokët tanë në NATO nuk i njohin si organizata terroriste ato që ne i konsiderojmë organizata terroriste... ne do të ngrihemi kundër çdo hapi që do të ndërmerret aty”, tha Erdogan para se të nisej për në Londër.

Në të kaluarën, edhe vetë presidenti Trump ka qenë kritik i madh i NATO-s, kryesisht duke vënë në pikëpyetje financimin e Aleancës nga SHBA-ja, dhe duke kërkuar që aleatët e tjerë të kontribuojnë më shumë. Ai edhe të martën e theksoi se anëtarët e tjerë të Aleancës duhet të paguajnë më shumë, ndërsa sekretari Stoltenberg e lavdëroi presidentin amerikan për “lidership në shpenzime për mbrojtje” duke theksuar se që nga viti 2016, kur Trumpi u zgjodh president, aleatët e tjerë të NATO-s kanë shtuar kontributet për 130 miliardë.

Megjithatë, Trumpi përsëriti kritikat drejt Gjermanisë, për të cilën tha se nuk po kontribuon ashtu si është e paraparë – 2 për qind të buxhetit të vendit – dhe insistoi se kjo duhet adresuar.

Dita e parë, parapërgatitore e takimit të NATO-s, kaloi me takime bilaterale, dhe një pritje që Mbretëresha Elizabeta II e organizoi për mysafirët nga NATO-ja në Pallatin Buckingham. Kryeministri britanik, Boris Johnson, u zotua se në fjalën hapëse të takimit, që mbahet të mërkurën në Watford të Londrës, do të bëjë thirrje për unitet në veprim, për Aleancën më të madhe në histori.

Por, bazuar në përplasjet e së martës, gjasat që fjalët e kryeministrit Johnson të kenë efektin e duhur janë përgjithësisht të vogla.

Rama do të kërkojë ndihmë nga NATO-ja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përfaqësues i vendit në takimin e liderëve të NATO-s, dhe ai pritet të jetë pjesë e diskutimeve në Watford të mërkurën.

Para nisjes për në Londër, Rama u raportua se ka thënë që takimin do ta shfrytëzojë për t’iu bërë apel aleatëve në NATO që ta ndihmojnë Shqipërinë në ballafaqimin me pasojat nga tërmeti i 26 nëntorit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme