Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka bërë zotim “të çeliktë” se nuk do t’ia japë Nicola Sturgeonit kompetencat e domosdoshme për mbajtjen e një referendumi të dytë të pavarësisë, pa marrë parasysh se a do t’i fitojë Partia Nacionale Skoceze (SNP) shumicën e ulëseve skoceze në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit.
Në kundërshtimin e tij më të ashpër deri më tani të premtimit të Sturgeonit për ta mbajtur një votë të re për pavarësi vitin e ardhshëm, Johnsoni e ka shfrytëzuar vizitën e tij të parë në Skoci, gjatë fushatës zgjedhore, për të insistuar: “Absolutisht nuk ka arsye për një referendum të dytë, pasi që njerëzve iu premtua më 2014-n se do të jetë kjo votë që mbahet një herë brenda një brezi, kështu që nuk shoh arsye për t’u kthyer mbrapa”, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Duke i quajtur Nicola Sturgeonin dhe Jeremy Corbynin “miq të shkatërrimit”, sa i përket stabilitetit të ardhshëm të unionit britanik, ai iu ka thënë gazetarëve: “Është e qartë se Jeremy Corbyn do të mbështetet tek SNP-ja për ta marrë pushtetin dhe për ta arritur atë, ai ka arritur ujdi për lejimin e një referendumi të ri”.
Të mërkurën, lideri i laburistëve skocezë, Richard Leonard, e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e ndonjë marrëveshjeje zgjedhore me SNP-në, pasi që Johnsoni kishte paralajmëruar që 2020-a të mos bëhej “vit i dy referendumeve” dhe Sturgeon iu kishte thënë votuesve se kërkesa për një votë të re për pavarësi do të bëhej e “pakundërshtueshme” nëse partia e saj i fiton zgjedhjet në Skoci.
Vizita e Johnsonit ka ardhur në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, që tashmë është shoqëruar me gafe prej konservatorëve, pasi që aleati Jacob Rees-Mogg kishte pretenduar se viktimave të zjarrit në kullën “Grenfell” u mungonte arsyeja.