Botë

3 vjeçari bie në një pus 30 metra të thellë, autoritetet indiane po provojnë tash 3 ditë ta nxjerrin

Foto: SkyNews

Ekipet e shpëtimit po tentojnë të shpëtojnë një djalë dy vjeçar i cili është ngujuar tash e tri ditë në një pus në Indi.

Sujith Wilson ra në pusin e braktisur rreth 7.6m të premten, por më pas ra edhe më thellë dhe tani besohet se është në thellësi prej rreth 30m.

Në pus po lëshohet oksigjen por gjendja e tij është e paqartë.

Kamerat e imazheve termike kanë detektuar nxehtësi të shtunën pasdite, megjithatë raportimet thonë se djali mund të jetë pa vetëdije, raporton “SkyNews”.

Makina e parë shpuese e pati të vështirë të depërtonte përmes gurëve derisa tentonte të hapte një vrimë tjetër paralel me djaloshin, transmeton Koha.net.

Mediat në Indi raportojnë se në vend të ngjarjes tani është një makinë më e fuqishme – në distriktin Trichy të shtetit Tamil Nadu – e cila po tenton të krijojë një vrimë mjaftueshëm të madhe për të hyrë shpëtimtarët.

Megjithatë, edhe makina e re po e ka të vështirë të depërtojë nën tokë.

Ministri i Shëndetësisë i shtetit Tamil Nadu, C. Vijayabaskar, u ka thënë reporterëve se shpëtimtarët nuk e kanë pritur se guri do të jetë aq i fortë, raporton “The Hindu”.

“Edhe makinat me fuqi të madhe e kanë pasur problem të depërtojnë përmes gurit”, ka thënë ai.

“Sapo kemi arritur në thellësi prej mbi 12 metrash dhe puna s’ka shkuar siç është planifikuar. Kemi kërkuar një pajisje tjetër shpuese nga Chennai dhe ajo pritet të arrijë shpejt. Kjo do të jetë edhe përpjekja jonë përfundimtare”.

Derisa shpimi po vazhdonte të hënën, reporterët lokalë thanë se një përpjekje tjetër po përgatitet për të provuar të shpëtojnë djaloshin me litarë – ndonëse përpjekja e mëhershme ka dështuar.

“Pasi balta ka rënë mbi djaloshin, zyrtarët do të përdorin filtra të ajrit që ta largojnë atë”, shkroi në Twitter Jayakumar Madala.

Në Twitter njerëzit shkruar lutje për djaloshin e vogël dhe kanë kërkuar nga autoritetet që të shohin nëse ka puse të tilla të braktisura nëpër zonë.