Polonia zgjedh parlamentin e ri - vendi i ndarë Foto: Reuters

Polonia zgjedh parlamentin e ri - vendi i ndarë

13 October 2019 10:11

Të dielën polakët zgjedhin parlamentin e ri. Për tre ish-presidentë zgjedhjet vendosin, nëse Polonia do të jetë një shtet ligjor apo do të rrëshqasë drejt autoritarizmit. Qeveria thotë se rikonfirmon paktin me qytetarët.

Tek partia nacionalkonservatore polake, “Ligj dhe Drejtësi”, PiS janë kaq të bindur për fitoren, saqë mendojnë, se vetëm mund të pengohen me këmbët e tyre. Jaroslaw Kaczynski, në dukje deputet i thjeshtë, por që vendos në parti, thotë: “Ne kemi shumicën e shoqërisë pas vetes, por nëse kjo shumicë shkon e gjitha të votojë, nuk dihet ende. Nëse po, ne do të fitojmë, nëse jo, atëherë do të jetë disi më dobët”.

Pak ditë para zgjedhjeve, krah për krah me kryeministrin, Mateusz Morawiecki, ata thonë se çfarë do të bëjnë si gjë të parë në rast rizgjedhjeje.

Në kuadër të “Planit Pesëpikësh”, PiS premton lehtësimin e bizneseve të vogla nga barra tatimore, pagesën e një pensioni të 13, deri të 14-të sa paga minimale dhe lehtësimin e qyteteve përmes ngritjes së 100 rrugëve anësore, po ashtu kjo parti do të angazhohet, që ashtu si Franca dhe Gjermania të mbështesë fermerët. “Edhe këtë herë do të bëjmë një pakt me qytetarët”, deklaroi Morawiecki. “Zgjedhjet në një demokraci nuk janë gjë tjetër veçse rigjenerim i një kësaj marrëveshjeje me qytetarët”, thotë ai duke shtuar me krenari, se e kemi realizuar atë për të cilën jemi angazhuar, raporton DW.

Kriteri i besueshmërisë

Realisht, thotë sociologu, Marcin Sinczuch nga Universiteti i Varshavës, PiS ndjek një politikë që nuk ka qenë ndjekur në Poloni në 30 vitet e fundit. “Kriteri i besueshmërisë është ngritur kaq lart, saqë bëhet gati i rrezikshëm, pasi paravendos një automatizëm, sipas motos, ne i mbajmë premtimet, të bëhet ç'të bëhet. Pyetja që shtrohet është, se si do të bëhet në rast të një krize”.

Në rast të tillë, ata do duhet të bëjnë shkurtime, thotë Sinczuch. Por ku? Sepse lista në sektorin ekonomik dhe social, ku PiS derdh para është e gjatë: Tatime më të ulëta, dalje në pension më moshë më të re, para për fëmijët, janë ndër më të njohurat. Shumë prej tyre qeveria i ka vënë në jetë, pavarësisht këshillës së ekspertëve.

Deri tani ka funksionuar, sepse ekonomia shënon rritje. “PiS i ka kthyer njerëzve dinjitetin”, thotë një shofer taksie në një qytet të vogël polak. Ajo që për disa vëzhgues të huaj konsiderohet si “korruptim i votuesit” (zgjerimi i ndihmës së fëmijët u bë në mënyrë të tillë që paratë të rridhnin para zgjedhjeve) shihet si rikthim i dinjitetit? A shkojnë këto bashkë? Simbolet janë fjalëkyçi i zgjedhur e PiS di të veprojë me to shumë mirë. Krenari kombëtare, heroizëm, heqje dorë nga avantazhet për veten - këtë retorikë përdor kjo parti e duket se ka prekur nervin e kohës. Ndihmën shtesë për fëmijët për shembull e lëvdojnë edhe ata që nuk kanë fëmijë në Poloni.

Shteti kujdeset

Pas viteve të vështira të tranzicionit, kur madje edhe qeveritë e majta predikonin tregun e lirë, shteti rikthehet si “kujdestar”, dhe kjo shihet si një përvojë pozitive. “Për shumë vetë koha e transformimit ishte traumatike”, thotë sociologu Sinczuch. “Në socializëm shtetin nuk e donte njeri, por ai ofronte një lloj sigurie, përkujdesje për njerëzit me më të domosdoshmen”.

Me përkujdesin social, por edhe me theksimin e vlerave komunitare si “komb”, “kishë”, “familje”, PiS është partia që mishëron sërish rregull dhe siguri. “Shumë të moshuarve u kujtojnë këto vitet e fëmijërisë dhe rinisë”, thotë sociologu. Shumë gjëra veprojnë në nënndërgjegje.

Megjithatë kjo politikë, që mund ta bashkonte shoqërinë, ka pasur një efekt të kundërt. Shoqëria polake është më e ndarë se kurrë. Të dyja kampet janë futur në llogoret e tyre dhe nuk nxjerrin as hundën, tha një politolog së fundmi. Kandidatja opozitare, Malgorzata Kidawa Blonska nga koalicioni qytetar liberal, (PO), që e zhvilloi fushatën nën moton “Bashkëpunim në vend të grindjes”, kërkon më shumë pajtim.

Si qëndron puna me opozitën?

Problemi i kampit liberal është kreu i opozitës, Grzegorz Schetyna, që vetëm në fillim të shtatorit nxori në krye si figurë Kidawa-Blonskan, ai nuk është i dashur në elektorat. Kryesisht ka qenë ai, figura që mishëronte “koalicionin qytetar”, dhe që perceptohej vetëm si “partia anti PiS”, dhe jo si një parti me fuqi formësuese të sajën. Nëse gjatë fushatës, PiS bënte premtime të shtrenjta nga një takim zgjedhor në tjetrin, opozita dukej e dobët në takimet e saj. Në zonat rurale, aty ku PiS është më e fortë, ajo nuk u shfaq gati aspak, por dobësia e saj dukej si në pllakate ashtu edhe përmbajtje. Në vend të kësaj sundonin kryetitujt ndodhi si ajo me ish-presidentin Lech Walesa, që në një kongres të partisë PO, ku ai vetëm një ditë pas varrimit, babanë e kryeministrit aktual, Kornel Morawiecki, e cilësoi si “tradhtar” të lëvizjes “Solidarnost”.

Në një kohë që ka shumë fusha ku PiS mund të sulmohet: Gjendja e drejtësisë është katastrofale, proceset zgjasin më shumë se kurrë. Pjesë të mëdha të “reformës” janë bllokuar, ashtu si nxjerrja në pension të detyruar të gjykatësve kryesorë, që u ndal me ndihmën e Gjykatës Evropiane. Shumë gjykatës nuk pranojnë të ndjekin ftesat në dhomat e reja disiplinore, sepse vihet në dyshim pavarësia e tyre politike. Dhe askush nuk e di, nëse gjykatësit e emëruar sipas metodës së re, janë aty me të drejtë e nëse vendimet e gjykimet e tyre janë të drejta.

Por në vend se të dalë me planet e veta, opozita bie në sy vetëm me paralajmërime, se demokracia është në rrezik, si në letrën e tre ish-presidentëve, e që gjithnjë e më shumë të kujtojnë djalin, paralajmërimet e të cilit për ujkun nuk i merr më askush seriozisht, kur ujku vërtet vjen.

Nuk është e qartë si partia liberale ‘PO’ do ta rigjenerojë demokracinë, kritikon Wojciech Szacki nga instituti liberal “Polityka Insight”. “Nuk ka një paketë me ligje dhe korrigjime, si mund të rivendoset shteti ligjor. Pak orë para zgjedhjeve nuk ka asgjë konkrete. Se si ‘PO’ do të heqë kaosin e sjellë nga PiS nuk e di as unë e as votuesit e PO.”

Parashikimet për Sejmin polak

Nëse do të kishte një ndërrim pushteti, atëherë ky do të vinte vetëm me një koalicion të gjerë. Shanse të mira të hyjë në parlament ka e Majta. Edhe partia e fermerëve, PSL ndodhet në kufirin e 5%, sipas sondazheve. Të vështira janë parashikimet për grupimin e djathtë “Konfederata”, që bashkon radikalë të djathtë, kundërshtarë të abortit, dhe kllounë politikë. Pasi sondazhet herë e nxjerrin këtë parti në Sejm herë jo.

Sondazhet janë në një pikë të afërta: Partia nacional-konservatore, PiS kryeson. Sondazhet e nxjerrin atë me 40% të votave. Koalicioni qytetar kap afër 30% të votave, kurse e Majta 12%. Nëse beson sondazhet, mbetet vetëm pyetja, nëse PiS do të qeverisë e vetme, apo ka nevojë për një partner koalicioni. Pastaj pyetjet e tjera: Si do ta ndryshojë ajo Poloninë? Sa të drejtë kanë tre ish-presidentët me paralajmërimin, që ky vend po ecën në drejtim të një diktature autoritare e nëse në fund ky vend mund të bëhet i tillë? Janë pyetje që mbeten ende pa përgjigje, sepse ende ka raportim kritik në Poloni, megjithë partishmërinë e televizionit publik, ende gjykatat, megjithë reformën në drejtësi nuk i japin vendimet sipas oreksit të politikës. Por duhet kujtuar edhe një thënie e Kaczynskit para disa vitesh: “Varshava duhet të bëhet ‘Budapesti i ri’”, ka thënë ai, e nuk dihet nëse e ka korrigjuar këtë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme