Botë

Bundestagu votoi pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE

Tiranë, 27 shtator - Bundestagu votoi mbrëmë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke miratuar me 395 vota pro dokumentin që i hap rrugën votës pro të Gjermanisë në Këshillin Europian më 18 tetor.

188 vota ishin kundër vendimit, pjesa më e madhe nga e djathta ekstreme AFD dhe 16 të pavendosur.

Me këtë dokument, Bundestagu gjerman i hap dritën jeshile Qeverisë Federale që të mbështesë vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ai shpreson që një vendim i mëvonshëm për anëtarësimin në BE jo vetëm që do të rregullonte përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, por edhe do të merrte në konsideratë aftësinë përthithëse të BE-së.

Vendimi pozitiv pritet të merret pasi më herët ishte grupi parlamentar i CDU/CSU që hapi dritën jeshile pro negociatave për Shqipërinë në tetor.

Që në qershor të vitit 2018, Këshilli Europian u angazhua të merrte një vendim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në vitin 2019 në bazë të progresit të deritanishëm dhe përmbushjen e kritereve. Që atëherë, Shqipëria ka vazhduar kursin e zbatimit të reformave dhe ka bërë progres në përmbushjen e kritereve kryesore.

Bundestagu po ashtu ka votuar pro edhe për hapjen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht, seanca nisi me fjalimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare të cilët argumentuan votën e tyre.