Botë

Brexiti nuk shtyhet, Johnson optimist pas takimit me Junckerin

Kryeministri Britanik, Boris Johnson është shprehur optimist lidhur me një progres të mundshëm në bisedimet për Brexit me liderët e Bashkimit Europian.

Ai po mban një drekë pune me presidentin në largim të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker në Luksemburg, takimi i parë që prej marrjes së drejtimit të qeverisë së Londrës.

Johnson thotë se do të kundërshtojë me forcë shtyrjen e Brexit përtej 31 tetorit. Ndërsa Junker, i pyetur lidhur me progresin drejt një ujdie të re për divorcin, tha se kjo mbetet për t’u parë.

Ndërkohë, BBC raporton se propozimet e kryeministrit britanik konsiderohen të pamjaftueshme nga zyrtarët e BE-së, prandaj është thuajse e pamundur të arrihet një marrëveshje e re për Brexit.