Botë

Rritet çmimi i naftës pas zotimeve të Arabisë Saudite për shkurtimin e prodhimit

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje pasi ministri i ri i energjisë i Arabisë Saudite u zotua se do të vazhdojë politikën e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) për shkurtimin e prodhimit për të mbështetur çmimet.

Çmimi i naftës Brent është rritur për 1.52 për qind duke u mbyllur në 62.67 dollarë për fuçi. Ky çmim shënoi rritje edhe të martën në mëngjes duke arritur në 62.84 dollarë për fuqi.

Princi Abdulaziz bin Salman të dielën u emërua ministër i ri i Energjisë në Arabinë Saudite, duke zëvendësuar ish-ministrin Khalid al-Falih, i cili kryesoi me marrëveshjen për shkurtimin e prodhimit mes vendeve të OPEC-ut dhe atyre jashtë OPEC-ut, përcjell BW.

Abdulaziz është djali i mbretit të Arabisë Saudite dhe gjysmë-vëllai i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman. Abdulaziz u zotua se nuk do të ketë “ndryshime radikale” në marrëveshjen e OPEC-ut për të shkurtuar prodhimin.

Duke folur gjatë Kongresit Botëror të Energjisë në Abu Dhabi, ministri i ri tha se marrëveshja e prodhimit e grupit të quajtur OPEC+ ka tendencë që të “qëndrojë për një kohë të gjatë”.

Vendet prodhuese të naftës OPEC+, ku bën pjesë edhe Rusia, në fillim të korrikut u pajtuan që të ulin sasinë e prodhimit të përgjithshëm për 1.2 milionë fuqi në ditë deri në fund të marsit të vitit 2020.