Botë

Në Maqedoni arsimtarët në grevë, duan paga më të larta

Arsimtarët nesër nuk do të pranojnë nxënës në ditën e parë të vitit shkollor në Maqedoninë Veriore, pasi ata do të hyjnë në grevë paralajmëruese.

Kryetari i sindikatës, Jakim Nedellkov tha se greva do të mbahet vetëm nesër, pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, ndërsa të martën do të ketë mësim të rregullt.

Ai kërkoi që të mos ushtrohet presion mbi arsimtarët, duke shprehur se disa drejtorë të shkollave me urdhra me gojë, bëjnë presion ndaj tyre se duhet t’i pranojnë fëmijët.

“Mësuesit do të jenë në dhomën e grevës, nxënësit që do të shkonin eventualisht në shkollë nuk do të pranohen. Të gjitha aktivitetet e tjera të planifikuara nga shkollat nuk do të zbatohen nga mësuesit, sepse ata do të jenë në grevë”, tha Nedelkov.

Gjysmë ore para njoftimit të SASHK-ut, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se negociatat me sindikatën vazhdojnë, por u bëri thirrje mësuesve dhe drejtuesve të shkollave që të vijnë nesër në punë dhe të fillojnë vitin shkollor.

Ai tha se me rritjen e pagave këtë shtator për 5%, arsimtarët në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar, do të kenë pagë 10% më të lartë. Por, mësuesit kërkojnë 25 për qind plus.

“Greva organizohet kur nuk ka zgjidhje. Ne themi se ofrojmë zgjidhje dhe kemi zgjidhje. Në të ardhmen do të ketë rritje të rrogave, por pasi të shqyrtohen të gjithë parametrat dhe të dhënat”, tha ministri Ademi.

Ndryshe, SASHK-u kërkon rritje të pagave për 25%. Për këtë përqindje do të ‘luftojnë’ gjatë bisedimeve që do të vazhdojnë deri në fund të shtatorit. Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshje, në fillim të tetorit sindikata do të mbajë seancë, ku pritet të merret vendimi për grevë të përgjithshme deri në përmbushjen e kërkesave./Alsat M