Kryeqytetin e Sudanit, Kartumin, e themeluan shqiptarët para dy shekujsh, ndërsa sot Dua Lipa, këngëtarja jonë me famë botërore dhe ambasadore e paqes, po lufton t’ia shërojë plagët traumatike këtij populli përmes këngës dhe veprimtarive të bamirësisë
Sudani, me gjasë po nxirret ngadalë nga pellgu i gjakut, pas 199 vjetësh luftëra, grusht shtete ushtarake dhe ndarjes të tokave të tij në shtete të reja (Sudani i Jugut). Gjerë në vitin 2011, nga shteti me territor më të madh në Afrikë, pasi iu nda një e katërta e territorit (mbi 600 mijë kilometra katrorë), ra në vendin e tretë, pas Algjerisë dhe Republikës Demokratike të Kongos.
Por kjo pranverë shënoi fundin e pushtetit 30-vjeçar diktatorial të gjeneralit Omar al-Bashir. Nga trysnia disamujore e popullit të organizuar përmes Aleancës për Liri, grupi i gjeneralëve (Këshilli ushtarak kalimtar), e vendosi prapa grilave komandantin e tyre të deridjeshëm, njëherësh presidentin e shtetit. Sudani sot po bën hapat e parë drejt shtegut të demokracisë, gjithnjë me shumë të panjohura, shkruan Koha Ditore.
Marrëveshja e 5 korrikut 2019, me ndërmjetësimin e Unionit Afrikan, midis civilëve dhe ushtarakëve sudanezë, qe me 17 gusht mori formen e ,, Dokumentit kushtetues,, parasheh pushtet te perbashket te ushtarakeve dhe civileve gjate fazes kalimtare prej 39 muajve permes ,, keshillit te perbashket,, si dhe formimin e qeverise vetem nga ana e civileve dhe te parlamentit te lire.
Kjo u arrit pas 240 dite zhagitjesh dhe mbi 250 te vdekurve nga ana e civileve te pakenaqur, pasi populli i Kartumit dhe tërë Sudanit u ngrit për t’i këputur zinxhirët e jetës së padurueshme. Regjimi i tronditur i presidentit me uniformë, Basharit “ kurban” të fundit të dorëheqjes së imponuar, ua mori jetën mbi qytetarëve të vet që kërkonin demokraci. I korrën me mitralozë, në qendër të kryeqytetit, kur ata po kërkonin nga “gjeneralët patriotë” që ta largonin Basharin. Për ta mbuluar krimin, Bashari ndërpreu internetin, por harroi se populli kishte telefona celularë që po regjistronin çdo pjesë të aktit të fundit të dramës sudaneze.
Sipas kësaj “marrëveshjeje parimore, kalimtare”, udhëheqjen e përkohshme trevjeçare do ta përbëjnë nga pesë ushtarakë dhe po aq pjesëtarë të forcave civile për ndryshim, kurse kryetari i parë do të jetë një ushtarak, ndërsa personi civil do ta zëvendësojë atë me rotacion gjerë në fund të kësaj periudhe kalimtare. Ushtarakët kërkonin ende pushtet ekzekutiv për ta “stabilizuar paqen”, kurse civilët kërkonin largimin e menjëhershëm të ushtarakëve.
Ky kompromis mbetet ende i brishtë, pasi zbatimi i tij do të hasë në shumë dykuptimësi dhe të panjohura, por më e rëndësishmja është se përfundoi faza më e egër e diktaturës në Sudan.
Gjenerali Omar al-Bashar erdhi në pushtet me anë të grusht shtetit më 1989. Ishte pushtetari me stazhin më të gjatë në Afrikë, e madje edhe në botë. Por këtë pranverë edhe atë e përfshiu rrëzimi i “efektit domino”i diktatorëve arabë. Populli është i dërrmuar nga varfëria, korrupsioni, dy luftërat e brendshme (1972-83 dhe 1983-85) , kur po gatuhej pavarësia e Sudanit
Në Karkum u nënshkrua Deklarata Kushtetuese
Jugor, si dhe konflikti i armatosur i Krahinës së Darfurit që nga viti 2003. Për krimet në Darfur, Gjykata Ndërkombëtare Penale për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit kishte ngritur vite më parë aktakuzë kundër al-Basharit . Ai shpresonte se do të mbetej president i përhershëm dhe i paprekshëm nga asnjë gjykatë.
Demonstratat sudaneze të kësaj pranvere kundër Basharit dhe tërë kreut ushtarak, policor dhe atij civil, u quajtën “Revolucioni i grave”, pasi filluan pikërisht nga ato, me pretekstin e kundërshtimit të rritjes së çmimit të bukës. Në ballë qëndronte Alaa Saleh. Ajo i priu popullit më 8 prill të këtij viti para selisë kryesore ushtarake, kur u vranë qindra demonstrues, për çka me shumë vonesë, Këshilli ushtarak kërkoi ndjesë nga populli.
Gratë sudaneze kërkonin edhe barazi gjinore dhe ndalimin e martesave në moshë të mitur. Shumë vajza aty martohen edhe në moshën dhjetëvjeçare. Kërkesë e veçantë mbetet lufta kundër korrupsionit. Hetuesit zbuluan 113 milionë dollarë të “paluar” në ish-rezidencën e presidentit, për çka ai u mor në pyetje para gjykatës. Dyshohet se ai ka konto personale në disa banka të jashtme. Kjo ishte dalja e parë e tij nga dyert e burgut që nga arrestimi .
Sipas të gjitha gjasave, tani, më në fund, sudanezët e mundën frikën. Filluan t’i besojnë fuqisë së vet për ndryshime.
Pse u derdh aq shumë gjak shqiptarësh në Sudan?
Pashai shqiptar, Mehmet Aliu, që u shpall edhe mbret, themeluesi i Egjiptit modern, erdhi në Kajro më 1805 si një ushtar i rëndomtë nga Kavalla. Me ndihmën e ushtarëve të shumtë shqiptarë, ai i mundi forcat mameluke në Egjipt, që ishin “kamxhiku” i forcave pushtuese osmane. Pasi e çliroi popullin katër milionësh egjiptian, sa numëronte aso kohe, dhe fitoi mbështetjen e tij, shqiptari i fuqishëm filloi të taktizojë me Portën e Lartë për pavarësi të Egjiptit, hap pas hapi. Ndër vendimet e para të tija ishte shpallja e barazisë së njerëzve dhe feve, lidhja me Francën dhe Anglinë, nga të cilat kërkonte ekspertë dhe ndihma të tjera për ta zhvilluar vendin.
Ndonëse i pashkolluar (më parë ishte tregtar duhani në Kavallë) dhe nuk fliste gjuhë tjetër pos shqipes dhe turqishtes, ai i mahniti diplomatët e huaj me zgjuarsinë, vendosmërinë dhe vizionet e tij të një burrështetasi dhe strategu ushtarak. Janë botuar me mijëra depeshe të diplomatit frëng, Drovetet, dhe konsujve të tjerë në Kajro që i përshkruajnë në hollësi jetën dhe veprimtarinë e Pashait brenda dhe jashtë Egjiptit, e në veçanti të ushtarëve dhe komandantëve shqiptarë nën komandën e tij, që zbatonin urdhrat e tij për luftë e paqe, por dinin ndonjëherë edhe të rebeloheshin, veçmas kur u vonoheshin pagat.
vepronte me kujdes në marrëdhëniet me Stambollin. E shtonte pavarësinë e tij të veprimit, por njëkohësisht ishte i detyruar të dëgjonte edhe disa nga urdhrat e Sulltanit. Ndër të parat ishte kërkesa e Portës së Lartë që Mehmet Aliu dhe armata e tij e përbërë me shumicë nga shqiptarët, e ardhur nga Ballkani, ta luftojë sektin e uahabizmit në Arabinë Saudite, e lindur nga Vahabi, në shekullin XVII, që binte ndesh me islamin tradicional. Nga viti 1811 e gjerë më 1820, Pashai shqiptar humbi mbi 7 mijë ushtarë, sa në fushëbeteja e sa nga sëmundjet e ndryshme, për shkak të temperaturave shumë të larta dhe papastërtisë.
Më në fund arriti ta mposhtë rebelimin saudit ndaj Portës. Në mënyrë simbolike, për këtë fitore, djali i tij, princi shqiptar Ibrahimi, ia dorëzoi Sulltanit çelësat e Mekës gjatë një ceremonie në xhaminë “Ejup Sulltan
pranë Bosforit. Pas shumë vitesh, Meka u hap sërish për pelegrinët myslimanë.
Sulltani kërkonte ushtarë të rinj si nga Ballkani, ashtu edhe nga Sudani, sepse i vlerësonte si “trimat më të mëdhenj në botë”. Ai sërish kërkoi nga Mehmet Aliu që statusin e tij të pashait-mbret të Egjiptit t’ia shpërblente Portës, duke pushtuar Sudanin si dhe të tubonte atje djem për uniformën ushtarake të Stambollit në Egjipt dhe gjetiu.
Porta dëshironte me çdo kusht ta angazhonte pashain-mbret shqiptar të Egjiptit jashtë shtetit të vet laik. Ai kishte ndarë fenë nga shteti, kishte krijuar një armatë moderne “allafrënga” me plot ekspertë evropianë të artit ushtarak, duke ëndërruar krijimin e një bashkësie të madhe të popujve të regjionit pa pushtetin osman. Fermani i ardhshëm ishte Sudani. Kjo tokë, Sulltanit i nevojitej si burim i pashtershëm për ushtarë të rinj, tagra, lëndë të para, e mbi të gjitha për territor që do t’i bashkëngjitej Egjiptit.
Ekspedita egjiptiane kundër Sudanit filloi më 1820. Pasi rezistenca dyvjeçare e popullit trim sudanez filloi të shuhej, Mehmet Ali Pasha vendosi ta themelojë qytetin e Kartumit, tani kryeqytet. Për këtë vepër të “xhevahirit”, mu aty ku bashkohen Nili i bardhë dhe Nili i kaltër për të vazhduar pastaj drejt Egjiptit vetëm si Nil, ai angazhoi arkitektë dhe ndërtimtarë francezë, italianë dhe turq. Ata i kishte sprovuar tanimë në ndërtimin e shumë veprave të njohura në Kajro.
Kam ndier kënaqësi të veçantë kur isha për herë të parë në Kartum. Për mua ai ishte shumë i afërt, pasi që është metropol i vetëm jashtë qyteteve tona që mban vulën e krijuesit të një shqiptari të falshëm.
“Është si një gurë i çmuar, i rrethuar nga dy anët me gajtanë të artë (dy Nilat)”, u kishte deklaruar Mehmet Ali Pasha diplomatëve të huaj në Kajro. Këtë ndjenjë e kisha edhe unë gjatë bredhjeve nëpër rrugët me plot gjelbërim të këtij qyteti me ndërtesa të stileve më të ndryshme, prej atyre orientale e gjerë te ato franceze dhe italiane. Shumicën i ndërtuan duart e ndërtimtarëve grekë, por edhe të atyre shqiptarë, veçmas nga jugu i Shqipërisë.
Kur e kemi fjalën për Nilin e bardhë, të veçojmë se ushtarët shqiptarë në Sudan, të parët zbuluan burimin e tij nga Liqeni Viktoria në Ugandën e sotme. Ata shoqëruan shkencëtarin britanik, John Hanings Speck (1858), për ta zbërthyer këtë enigmë që nga koha e Herodotit, historianit të lashtë grek.
Gjeniu antik ishte ndalur në kataraktin e dytë të këtij lumi më të gjatë në botë (6671 km), kurse Speck me përcjellësit e tij trima arriti gjerë në burimin e lumit. Shumica e ushtarëve nuk u kthyen më nga ky udhëtim dyvjeçar. U sëmur edhe Speck. Shumica e ushtarëve vdiqën nga sëmundjet e ndryshme, por edhe nga shigjetat helmuese të fiseve afrikane. Në arkivat britanike të kohës, besoj se mund të gjenden shënime të besueshme për këtë udhëtim, plot aventura.
Në Sudan u vra djali i dytë i pashait shqiptar, Ismaili. Ai dhe togu i ushtarëve të tij shqiptarë ranë në pusinë e kurdisur nga një prijës i rezistencës sudaneze, i quajtur Naim Nimer. Në të vërtetë, ai ishte një salaifist antiegjiptian, për shkak të bindjeve të tij antievropiane dhe anticivilizuese. Princi shqiptar i Egjiptit kërkoi nga Nimeri 2.000 skllevër dhe 110 mijë franga ari. I zënë midis varfërisë dhe trysnisë së princit, si dhe botëkuptimeve të tij salafiste,ai kurdisi një plan të tmerrshëm. Të gjithë këta i ftoi në një darkë, ndërsa u kishte përgatitur tre rrethime me luftëtarë të vet. Pas darkës, shtëpisë së tij nga druri iu vu flaka, ndërsa rrathët e luftëtarëve të tij po sulmonin me armë zjarri dhe shigjeta. Pakkush shpëtoi. Princi shqiptar u dogj i gjallë.
Njësoj kishte vepruar në Kajro edhe Mehmet Ali Pasha, më 1 mars 1811.
Ai ftoi për darkë në Kështjellën e tij mbi 450 krerë mamelukë, të cilëve ua vendosi tre rrathë me ushtarë shqiptarë dhe të tjerë. Në momentin e urdhrit nga Pashai, që tanimë ishte bërë edhe vali, të tre rrathët filluan të shtinin kundër të ftuarve. Të gjithë u vranë. Shpëtoi vetëm njëri. Ai u hodh nga muret e larta të Kështjellës së Salajdinit në Kajro. Atë, popullsia vendore e zunë të gjallë dhe e mbytën, pasi mamelukët u kishin bërë shumë zullume gjerë në ardhjen e Mehmet Aliut me ushtarët e vet. Ata nuk pajtoheshin me zhveshje nga fuqia e pushtetarëve të dikurshëm, andaj bënin aleanca me forcat e huaja (francezët dhe anglezët) për ta rrëzuar pashain shqiptar.
Djali tjetër,Tosuni, kishte vdekur vite më parë në fushëbetejat saudite, ndërsa djali i tretë, Ibrahimi, mezi shpëtoi nga një epidemi dhe u kthye në Egjipt. Ibrahimi kishte udhëhequr armatën egjiptiane që nga viti 1831 deri më 1840, me 60 mijë veta, prej të cilëve 15 mijë ishin shqiptarë, në luftën kundër Sulltanit gjerë në Konja të Turqisë së sotme, por Sulltanit i dolën në ndihmë Rusia dhe Anglia, andaj kjo ushtri egjiptiane u kthye prapa, duke e humbur edhe Sirinë, Palestinën,Libanin dhe mbi 20 mijë ushtarë.
Prej atëherë, Sudanin e udhëhoqi dhëndri i pashait shqiptar, por gjithnjë e më shumë aty po infiltrohej edhe fuqia ushtarake britanike përmes bashkëpunimit me tanimë Mbretërinë e Mehmet Ali Pashës.
Më 1898, armata egjiptiane dhe ajo britanike ndërmorën një ndërhyrje të furishme në Sudan kundër rezistencës gjithnjë e më të fuqishme të lëvizjeve çlirimtare. Për një kohe të shkurtër, aty u vranë 11 mijë sudanezë të armatosur, kurse për fatin e 16 mijë të plagosurve nuk dihet.
Më 1951, Mbreti i fundit egjiptian i trungut të Mehmet Ali Pashës, Faruku, u shpall mbret i Egjiptit dhe Sudanit. Kjo ngjau pesë vjet para se ai të përmbysej me grushtet nga ana e revolucionit naserist. Në atë kohë, Sudani shfrytëzoi rastin dhe më 1965 shpalli pavarësinë e tij. Ishte ajo kohë e dekolonizimeve dhe pavarësimit të shumë shteteve arabe, e veçmas atyre afrikane.
Si u pavarësua Sudani Jugor?
Pavarësia nuk i solli Sudanit lumturi të plotë. Ky vend, kryesisht bujqësor si dhe me burime të mëdha të naftës, nga të cilat 85 për qind gjenden në jug, ishte mollë sherri midis veriut kryesisht mysliman dhe jugut të krishterë.
Xhon Garanga, lideri historik i jugut, veçmas u acarua kur Kartumi zyrtar shpalli islamin si fe shtetërore, kurse sheriatin, ligj për të gjithë banorët, pa dallim.
Dy luftërat e jugut për pavarësi (1972-1983, kur jugu arriti të fitojë autonomi dhe e viteve 1983-2005), bënë që Kartumi të detyrohet të njohë vullnetin për pavarësi të rreth 8 milionë ish-qytetarëve të tij. Kjo u arrit përmes referendumit të jugorëve. Atë vullnet të shprehur në mënyrë plebishitare e nënshkroi pikërisht Omar al-Bashari, gjenerali president. Pavarësia e jugut u jetësua më 2011.
Gjatë tërë kësaj kohe në Sudan ndodhën katër grusht shtete ushtarake, por vendi nuk gjeti aspak stabilitet, pasi “në diktaturë nuk çelin lulet”.
Marrëveshja e 5 korrikut 2019 midis ushtarakëve dhe civilëve jep shpresë se me demokracinë do të vejnë punën më mbarë.
Në fund, një simbol të cilin na e krijoi Dua Lipa jonë. Ajo, dy shekuj pas krijimit të Kartumit nga Pashai shqiptar, Mehmet Aliu, i fali popullit të Sudanit një dashuri të rrallë: këngën dhe shumë veprime humanitare për këtë vend të bukur, por skajshmërisht të lodhur.
Sudani gjerë tani nuk e ka njohur Kosovën, ndonëse nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë të mos e bëjë këtë, pas pavarësisë së Sudanit të Jugut. Arsyeja themelore e kësaj gjendjeje ishin kushtëzimet që ia bënin gjeneralit diktator “vëllezërit” diktatorë nga Algjeria, por edhe të disa qarqeve, si Rusia, një prej furnizuesve kryesorë me armatim. Tani mbetet të shohim se si do të veprojë pushteti i ardhshëm demokratik i Sudanit, por edhe veprimet miqësore me kohë dhe me vend të pushtetit kosovar.
Por Darfuri ende mbetet një çështje e hapur, ndonëse janë mbuluar 300 mijë të vrarë.