Botë

Nepali përcakton rregulla të reja për ngjitjen në Everest

Alpinistët që duan t’i ngjiten malit Everest, tani përballen me rregulla të reja.

Para së gjithash ata duhet të demonstrojnë se janë alpinistë me eksperiencë, para një paneli këshillues që Qeveria e Nepalit ka krijuar.

Aplikantët madje duhet të kenë ngjitur një majë tjetër në Nepal, të paktën 6500 metra të lartë para se të tentojnë Everestin. Duhet po ashtu të ofrojnë një certifikatë për aftësinë fizike.

Gjatë këtij viti, të paktën 11 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në Everest.

Nëntë persona humbën jetën ose u zhdukën në anën nepaleze të Everestit dhe dy të tjerë në anën tibetiane. Të paktën katër prej këtyre rasteve u shkaktuan nga mbipopullimi në majë, transmeton BBC.

Tani, ekspertët kanë propozuar një pagesë prej të paktën 35 mijë dollarësh për ata që duan t’i ngjiten Everestit dhe 20 mijë për maja të tjera më të larta se 8 mijë metra.

Nepali mban tetë nga 14 malet më të larta të botës dhe alpinistët e huaj janë një burim i madh të ardhurash.