Botë

Britania do të përballet me mungesë ushqimi në rast të Brexitit pa marrëveshje

Britania do të përballet me mungesë të disa ushqimeve për javë, mbase edhe muaj, në rast të Brexitit pa marrëveshje, të cilat do të bënin që produktet me afat të kufizuar të kalben nëpër porte, ka paralajmëruar lobi britanik i ushqimit dhe pijes.

Rrjetet e shitjes me pakicë, si “Tesco” kanë paralajmëruar se largimi nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje transicioni, do të ishte problematik, pasi që shumica e produkteve të freskëta importohen dhe depot janë të mbushura plot në muajt para Krishtlindjes, shkruan Reuters, përcjell sot Koha Ditore.

Industria – që punëson 450.000 veta në Mbretërinë e Bashkuar – e konsideron Brexitin si sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë më e rëndë sesa krizat e mëparshme, si skandali me mishin e kalit më 2013 dhe sëmundja e lopës së çmendur në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë.

“Nuk do të vdesim urie, por do të ketë mungesë ushqimesh të freskëta dhe disa gjësende specifike. Do të jetë paksa e paparashikueshme”, ka thënë zyrtari kryesor i Federatës së Ushqimit të Pijes, Tim Rycroft.

“Duke pasur parasysh se ushqimet kanë afat të caktuar të skadimit, presim mungesë të gjësendeve të caktuara ushqimore në javët dhe muajt pas Brexitit pa marrëveshje”, ka thënë Rycroft. “Do të ketë mungesa dhe ngritje çmimesh”. (Më shumë detaje mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)