Zaevi shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të ndërmarrjeve shtetërore Foto: MIA

Zaevi shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të ndërmarrjeve shtetërore

17 July 2019 16:24

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi se në procedurë qeveritare është vendimi për shkarkimin e mbi 50 drejtorëve dhe anëtarëve të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, për shkak të, siç tha, mungesës së rezultateve në menaxhimin me këto ndërmarrje.

Në mesin e drejtorëve të shkarkuar nga detyra janë edhe disa të kompanive të mëdha energjetike, si: “MEPSO”, “ELEM”, “Rrugët e Maqedonisë”, “Hekurudhat e Maqedonisë”, “Agjencia e Barërave”, Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, të shtëpive të shëndetit, të institucioneve kulturore e të tjerë, shkruan rel.

Nga drejtorët e shkarkuar ka kuadro nga të gjitha partitë në pushtet, përfshirë edhe shqiptarë.

Largimi i tyre është paralajmëruar kohë me parë nga kryeministri Zaev, në kuadër të të ashtuquajturit operacioni “Fshesa”.

Zaevi ka deklaruar se shumë drejtues të institucioneve nuk kanë treguar rezultate, andaj edhe do të largohen nga detyra.

Por, disa prej tyre largohen edhe për shkak të riformatimit të institucioneve, ku kanë ushtruar funksionet, siç është rasti me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila transformohet në Agjenci të Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri Zaev, kohëve të fundit, është përballur me akuza të shumta jo vetëm nga opozita, por edhe nga opinioni më i gjerë për mungesë të rezultateve në punën e qeverisë dhe mosrealizimin e premtimeve të dhëna në fushatën zgjedhore.

Ai, në fillim të korrikut, ka bërë riformatimin e qeverisë, që nga opozita është vlerësuar si “farsë”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme