Politikania kristiandemokrate e publikoi në Twitter vendimin e saj: “Unë dua të fitoj nesër besimin e Parlamentit Evropian”, shkruan Ursula von der Leyen. “Pavarësisht rezultatit, të mërkurën do të tërhiqem si ministre e Mbrojtjes, për t’ia kushtuar të gjitha forcat shërbimit në Evropë. Jam thellësisht mirënjohëse për vitet me Bundeswehrin”.
Me premtime të reja për temat si mbrojtja e klimës dhe të drejtat parlamentare, Ursula von der Leyen kërkoi mbështetje për zgjedhjen si presidente e Komisionit të BE-së. Në një shkresë prej tetë faqesh drejtuar socialdemokratëve evropianë, ajo deklaron ndër të tjera se do të ndërmarrë një nismë të re për pakësimin e emetimeve të gazrave të efektit serë. Deri në vitin 2012 ajo do të paraqesë një plan për bisedimet mbi klimën, se si “në mënyrë të përgjegjshme” të arrihet pakësimi me 55 për qind i këtyre gazrave në atmosferë. Deri më 2050 BE-ja duhet të bëhet neutral ndaj klimës, shkruan DW.
Duke iu referuar kërkesave të socialdemokratëve, politikania e CDU-së premton se dëshiron të arrijë vendosjen e kritereve ligjore për pagën minimale në mbarë BE-në, dhe të avancojë luftën kundër papunësisë tek të rinjtë. Programi i shkëmbimeve Erasmus duhet të zgjerohet edhe për ata që ndjekin shkollat profesionale. Lidhur me politikën e refugjatëve ajo shpreson tek një mekanizëm i ri për ndarjen e barrës mes vendeve anëtare.
“E drejta për nisma ligjore” për Parlamentin e BE-së
Ndryshe nga deri më sot, von der Leyen synon edhe një rol më të fuqishëm të Parlamentit Evropian në procesin legjislativ të BE-së, sepse deri tani vetëm Komisioni i BE-së ka pasur të drejtë të ndërmarrë nisma ligjore. Ndaj kërkesave për një pozicionim më të qartë lidhur me shtetin ligjor në Poloni dhe në Hungari, von der Leyen në dëgjimin parlamentar reagoi disi e rezervuar.
Sfidat me të cilat konfrontohet Evropa, shkruan von der Leyen, mund të përballohen vetëm me vendosmëri dhe duke mbrojtur vlerat e përbashkëta, por edhe duke u angazhuar për një shoqëri më korrekte, më tolerante dhe më me barazi.
Von der Leyen pas emërimit nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive këtë të martë (16.07) duhet të përballet edhe me votën në Parlamentin Evropian. Aty ajo është e varur pjesërisht prej votave të socialdemokratëve evropianë, në mënyrë që të arrijë shumicën absolute të kërkuar. Të Gjelbrit dhe të Majtët javën e kaluar deklaruan se nuk duan ta votojnë ministren gjermane të Mbrojtjes.