Botë

Shesheli fyen e kërcënon gazetaren që kishte shkruar “jetoj në shtetin që bëri gjenocid në Srebrenicë”

Beograd, 16 korrik - Kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojisllav Sheshel, ka fyer e kërcënuar gazetaren e "Danasit" të Beogradit, Snezhana Çongradin, për shkak të një shkrimi të saj mbi gjenocidin serb në Srebrenicë.

"Secilin gazetar i cili shkruan kështu, do ta çoja në burg 20 vjet", ka thënë Sheshel i cili ka kaluar disa vite në burgun e Tribunalit të Hagës po për krime lufte, ndërsa është lënë i lirë pasi ishte diagnostifikuar me kancer, rikujton Koha.net.

Duke përdorur krahasime fyese, ka arsyetuar qëndrimin e tij kundër saj, sepse "Çongradin ka shkruar se jeton në shtetin i cili para 24 vjetësh në Srebrenicë kreu gjenocid ".

"Jam i tmerruar dhe, mos e dhëntë Zoti të kem pushtet, do të dija si të qëroj hesape me të tillë. .. Xhipit i kam vënë vemëza, i kam gjetur në një mbeturinë nga një automjet luftarak, dhe herën tjetër kur të shkeli ata që ma ndalojnë hyrjen në Kuvend, do të rrëshqasë si në dhjamë", është shprehur Shesheli, transmeton Koha.net.