Botë

Përbindësh për historinë, “Stalini” - magnet turistik për vendlindjen

Janë vetëm disa fakte sipërfaqësore që u tregohen vizitorëve gjatë xhiros speciale në muzeun “Stalin” në Gori, qytet i vogël gjeorgjian, ku ishte lindur ish-lideri sovjetik.

Joseph Stalini ishte alamet këngëtari. Shkruante poezi. Gjatë sundimit të tij u hapën 9 mijë ndërmarrje shtetërore. Njëra prej mbesave të tij tani udhëheq një dyqan në Portland të Oregonit, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Mes dhuratave që iu ofruan Stalinit nga qytetarët ishte një pallto e leshtë luksoze, e cila tani ekspozohet në një vitrinë me xhama të dhomës së mbushur me gjërat e liderit.

“Këtë pallto Stalinit ia dhuroi një kompani e veshjeve në Moskë”, thotë ciceronia, një grua e shtyrë në moshë, me theks të mprehtë gjeorgjian dhe me fije të flokëve të lyera me ngjyrë vjollcë. “Por Stalini nuk e veshi kurrë. Nuk ishte e stilit të tij”.

Proklamimi i maskuar i një përbindëshi

Hapur më 1957, katër vjet pas vdekjes së Stalinit, muzeu nga jashtë duket tejet i thjeshtë, krejtësisht sipas stilit klasik socialist dhe në brendi është i mbushur me piktura, fotografi e kujtime prej burrështetasit të frikshëm.

Në të majtë të hyrjes është një vagon treni, me të cilin Stalini udhëtoi drejt Konferencës së Potsdamit në Gjermani, verën e 1945-s. Perdet e saj janë të paprekura teksa dritaret që nuk përçojnë fishekë moti janë zëvendësuar.

Narrativi i treguar në muze është admirues, miklues për një fëmijë të gjorë që, me gjithë heqjet e shumta dhe mbylljeve në burgjet cariste, u ngrit në majat e pushtetit. Në dysheme janë të shtruar qilima të kuq. Portreti prej bronzi i Stalinit buzë vdekjes prehet mes rrethojave të çelikta, sikur një lider i dashur që prehet në paqe.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)