Botë

Trump nis vizitën shtetërore në Britani

Presidenti amerikan, Donald Trump ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore treditore.

Aeroplani i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara ka arritur në Aeroportin Stansted në mëngjesin e së hënës.

Trump do të takohet me familjen mbretërore derisa pritet të diskutojë edhe ndryshimet klimatike, dhe për kompaninë kineze të teknologjisë, Huawei me kryeministren në shkuarje të Britanisë, Theresa May.

Para se të arrinte në Britani, Trump ka kritikuar kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, me të cilën është përplasur edhe në të kaluarën.

Ai ka thënë përmes një postimi në Twitter se Khan është “humbës i ftoftë”, mirëpo megjithatë mezi pret ta takojë.

Gjatë vizitës së Trumpit në Britani, janë paralajmëruar një varg protestash në Londër, Mançester, Belfast dhe Birmingem.

Ndonëse më parë Trump ka folur me admirim për kryeministren May, në diskutimet e tyre pritet të kenë qëndrime të ndryshme.

May pritet të ngre çështjen e ndryshimeve klimatike, meqë një zëdhënës qeveritar ka thënë sërish të hënën se Britania është “e zhgënjyer me vendimin e SHBA-së për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Klimën e vitit 2017”, përcjell rel.

Të dy liderët pritet po ashtu që të diskutojnë edhe për kompaninë Huawei. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar në listë të zezë kompaninë kineze, duke përmendur arsye të sigurisë, derisa Mbretëria e Bashkuar i ka lejuar kësaj kompanie që pjesërisht të instalojë rrjetin e gjeneratës së re të komunikimeve, 5G.

Para vizitës së tij, presidenti Trump i ka thënë gazetës The Sun se përkrah kandidaturën e pjesëtarit të Partisë Konservatore, Boris Johnson për kryeministër të Britanisë.

Ai po ashtu ka thënë për the Sunday Times se lideri i Partisë për Brexit, Nigel Farage, një kritik i ashpër i kryeministres May, duhet të përfshihet në negociatat qeveritare në procesin e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Ai po ashtu ka përmendur sërish mundësinë e një “marrëveshjeje shumë të madh tregtare” në mes të dy shteteve në një të ardhmen të afërt.

Marrëdhënia e ashtuquajtur speciale në mes të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara konsiderohet si e palëkundur, pavarësisht pse votuesit britanikë e shohin Trumpin si të paqëndrueshëm dhe kundërshtojnë politikat e tij, qoftë për ngrohjen globale, ashtu edhe për trajtimin ndaj grave.

Përndryshe, presidentët amerikanë, George W.Bush dhe Barack Obama janë të vetmit liderë amerikanë, të cilët janë ftuar në vizitë shtetërore.

Vizitat shtetërore dallojnë nga vizitat zyrtare dhe zakonisht janë ftesa nga Mbretëresha, e cila vepron në konsultim me Qeverinë.

Mbretëresha zakonisht pret një apo dy krerë shtetesh gjatë një viti, dhe deri më tani ka realizuar 112 vizita prej kur ka nisur udhëheqjen më 1952.