Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka thënë të martën se Britania e Madhe do të kryente “vetëvrasje politike” po që se do ta ndiqte shtegun e Brexitit pa marrëveshje, duke u bërë kështu figura më e lartë shtetërore me gjasa për ta zënë vendin e kryeministres, Theresa May, që e hedhë poshtë një opsion të tillë.
Vlerësimi i Huntit e vë atë përballë shumicës së kandidatëve të tjerë për postin e shefit të Qeverisë, përfshirë kryekandidatin dhe pararendësin e tij në ministrinë e Jashtme, Boris Johnson, i cili ka thënë se Britania duhet të shkëpus rrugët me Bashkimin Evropian me apo pa marrëveshje deri në fund të tetorit, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
May ka shpallur dorëheqjen, pas dështimeve të njëpasnjëshme për ta siguruar miratimin parlamentar për marrëveshjen e saj të daljes nga BE-ja, duke i hapur rrugë një gare të ashpër përbrenda partisë Konservatore për pasimin e saj. Kjo garë në fakt do ta përcaktojë mënyrën se si dhe nëse fare Britania do të largohet nga BE-ja, apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja kombëtare në kohën kur partitë më të mëdha politike kanë ndasi të thella lidhur me Brexitin.
Duke u rreshtuar në kundërshtim të Johnsonit dhe të tjerëve që insistojnë për dalje nga blloku edhe me opsionin pa marrëveshje, Hunt ka thënë se një veprim i tillë do të bllokohej nga ligjvënësit dhe do të nxiste mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare.
“Përpjekja për ta çuar përpara opsionin e Brexitit pa marrëveshje përmes zgjedhjeve të përgjithshme nuk përbën zgjidhje; është në fakt vetëvrasje politike”, ka shkruar Hunt në të përditshmen “Daily Telegraph”.