Ish-ministri i BREXIT-it, Dominic Raab, ka shpallur kandidaturën për të qenë pasardhës i Theresa Mayt në postin e kryeministrit dhe atë të parisë konservative.
Në një deklaratë, Raab tha se Britania duhet të jetë e gatshme të largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje deri më 31 tetor, derisa shtoi se nëse merr drejtimin e partisë, do të mundohet që ta bashkojë atë.
Raab do të preferonte që Britania të largohej me një marrëveshje, por nuk dëshiron ta shtyjë edhe më shumë BREXIT-in, transmeton KTV. Ai beson se Britania do të obligohej t’i paguante vetëm 14 miliardë funte dhe jo 39 miliardë, ashtu siç është pretenduar se do të jetë fatura për dalje nga blloku pa marrëveshje.
Disa kandidatë kanë shprehur gatishmërinë për të kandiduar dhe në mesin e tyre janë edhe ish-ministri i Jashtëm, Boris Johnson, ish-prezantuesja televizive Esther McVey e ish-diplomati, Rory Stewart.