Botë

Zaevi thotë se deri në qershor do të përfundojë riformatimi i qeverisë

Foto: Ilustrim

Deri në fund të muajit maj do të marrë fund frika e ministrave të kabinetit ekzekutiv dhe do të zgjidhet dilema e kryeministrit, se cili prej tyre do të duhet të lëshojë karrigen.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bëri të ditur se përveç ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshim edhe të strukturave drejtuese në institucionet e tjera që janë në kompetencë të Qeverisë por edhe në LSDM, transmeton Alsat-M.

“Besoj se në fillim të qershorit do të dal me ndryshimet komplete në strukturat udhëheqëse në nivel të ministrave dhe institucioneve shtetërore dhe besoj nga fundi i qershorit do të lëshohemi edhe në vertikale në vetë komunat ku shteti përfaqësohet me institucionet e tij. Paralelisht më këtë, unë si kryetar i LSDM-së duhet të bëj disa ndryshime në partinë time politike sepse një pjesë e reflektimit të qytetarëve vjen nga partia e parë në pushtet”, tha Zoran Zaev, kryeministër .

Që nga paralajmërimi i të ashtuquajturës “fshesa e kryeministrit”, shumë nga ministrat janë prononcuar se nuk besojnë që do të jenë target e ndryshimeve, por vendimin përfundimtar e lejnë në dorë të liderëve Zaev e Ahmeti. Ndër të përfolurit për t’u zëvendësuar është edhe ministri i Transportit, Goran Sugarevski.

“Sinqerisht, nuk pres. Por, do ta respektoj çdo vendim të kryeministrit në bazë të analizave të tij mbi punën time”, pohoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit.

Por, Zaev nuk ka potencuar as sa ministra mund të zëvendësohen dhe as me sa prej tyre është i kënaqur. Formatim i Qeverisë së Zaevit është bërë edhe më herët kur u ndryshuan disa ministra dhe u shkëmbyen disa resorë mes partive të koalicionit.