Botë

Trump: SHBA-ja është “pikërisht aty ku dëshiron të jetë në raport me Kinën”

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “pikërisht aty ku duan të jenë në raport me Kinën” teksa të dyja palët vazhdojnë të jenë të bllokuara në konfliktin tregtar.

SHBA-ja ka rritur më shumë se dyfish tarifat në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve ditën e premte, duke përshkallëzuar luftën tregtare në mes të të dyja shteteve.

Më herët, këshilltari për ekonomi i Trumpit, Larry Kudlow, ka thënë se “të dyja palët do të vuajnë” nga konflikti tregtar.

Mirëpo Trump më vonë ka ulur tonet kur ka folur për ndikimin që mund të ketë rritja e tarifave në SHBA.

“Ne jemi pikërisht aty ku duam të jemi në raport me Kinën. Mos harroni se ata kanë shkelur marrëveshjen me neve dhe kanë tentuar të rinegociojnë”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.

“Ne do të fitojmë dhjetëra miliarda dollarë nga tarifat kundër Kinës. Blerësit e këtyre produkteve mund t’i prodhojnë edhe vetë ato në SHBA (do të ishte ideale) apo t’i blejnë ato nga shtetet pa tarifa”.

Pas kësaj mase, Kina ka premtuar se do të hakmerret, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Tarifat e larta do të paguhen nga kompanitë amerikane që importojnë mallra nga Kina.

Ekonomistët kanë thënë se tarifat prej 25 për qind do të shkaktojnë më shumë vështirësi për bizneset, në krahasim me taksat prej 10 për qind sa kanë qenë më parë.

I pyetur në një intervistë për Fox News Sunday nëse është e vërtetë se do të jenë bizneset dhe qytetarët amerikanë që do të paguajnë tarifat, Kudlow ka thënë: “Po deri në një shkallë. Nuk mund të mospajtohem. Të dyja palët do të vuajnë”, transmeton rel.

Ai po ashtu ka thënë se “ka shumë mundësi” që Trump të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping në samitin e G20-ës në Japoni në fund të qershorit.

Presidenti amerikan ka vënë tarifa ndaj Kinës edhe më herët, derisa ato i ka arsyetuar, si shenjë ndëshkimi ndaj, siç është shprehur, “praktikave të padrejta tregtare” të Kinës kundër SHBA-së.