Botë

Mbi 20 të vdekur në përshkallëzimin e dhunës mes Gazës dhe Izraelit

Foto: Reuters

Militantët në Gazë dhe forcat izraelite janë përfshirë në përplasje të reja të përgjakshme gjatë fundjavës, teksa fraksionet palestineze ndërmorën qindra sulme me raketa drejt qyteteve izraelite, duke e shtyrë Izraelin të kundërpërgjigjet me mbi 250 sulme.

Në këmbimin e zjarrit që shpërtheu të premten dhe që përbën valën më të ashpër të luftimeve gjatë viteve të fundit, të vdekur kanë mbetur 19 palestinezë, mes të cilëve dy gra shtatzëna dhe një fëmijë, ka njoftuar të hënën ministria e Shëndetësisë në Gazë, raporton “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Mes të vdekurve janë të paktën tetë militantë dhe një komandant i “Hamas”-it, i cili u vra në sulmin e parë të shënjestruar që Izraeli ndërmarri pas shumë vitesh. Katër izraelitë janë raportuar po ashtu si të vdekur nga raketat, shifër kjo më e lartë e viktimave në anën e Izraelit qysh nga fillimi i luftës 50-ditore më 2014.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar të dielën mbrëma në “Twitter” se i mbështet “100 për qind” aksionet e Izraelit, pas “sulmeve të përgjakshme raketore të grupeve terroriste ‘Hamas’ dhe ‘Xhihadi Islamik’”. “Popullit të Gazës i them – këto akte terroriste ndaj Izraelit nuk do t’ju sjellin asgjë tjetër pos më shumë vuajtje. Jepini fund dhunës dhe punoni në drejtim të paqes – ajo është e mundur!”.