Botë

Epidemia e fruthit, në Maqedoninë e Veriut ende shumë prindër refuzojnë vaksinimin e fëmijëve

Festat e zgjatura kanë stopuar procesin e vaksinimit të nxënësve. Procesi rikthehet të martën, por i njëjti do të ndërpritet përsëri të mërkurën për shkak të festës së 1 Majit për të vazhduar në mënyrë të rregullt të enjten që vjen.

Në territorin e Shkupit duhet të vaksinohen dhe rivaksinohen rreth 480 nxënës, megjithatë autoritetet shëndetësore njoftojnë se vaksinimi nëpër shkolla nuk është i kënaqshëm, sepse shumë prindër vazhdojnë të refuzojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen. Epidemiologët vazhdojnë të apelojnë për vaksinim duke siguruar se vaksinat nuk sjellin pasoja të padëshirueshme.

Iu kisha lutur të gjithë prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët. Vaksina është vaksinë e sigurt, nuk ka kurrfarë analiza shkencore të cilat flasin se vaksina ka ndonjë negativitet ose është e pasigurt. Prandaj mos të dëgjojnë, fushatat anti vaksinale por të dëgjojnë rregullativën mjekësore dhe apelet të cilat jepen nga personat shëndetësor që thonë se fëmijët duhet të vaksinohen. Besoj se nëse dhënia e vaksinës do të ishte me ligj me shkuarjen e fëmijëve në shkollë, atëherë prindi deshi nuk deshi do të duhej ta vaksinon fëmijën e tij, në mënyrë indirekte do të mbroj edhe fëmijën tjetër”.- tha Luljeta Imeri, Epidemiologe, Qendra e Shëndetit Publik

Që nga shpallja e epidemisë e deri më tash, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 1200 raste me fruth, ndërkaq të shtrirë në Klinikën Infektive për momentin janë mbi 35 persona. Në nivel botëror nga viti 2010 deri në vitin 2017 rreth 170 milion fëmijë nuk e kanë pranuar dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, flasin të dhënat e UNICEF-it. Ndërkaq gjatë tre muajve të parë të këtij vitit numri i rasteve me fruth në korniza globale ka shkuar në 110.000 persona që është për 300 për qind më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përcjell alsat.