Botë

Koreja Veriore teston armë të re, kërkon përjashtimin e Pompeos nga bisedimet

Koreja Veriore ka bërë të ditur të enjten se nuk dëshiron të flasë më me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeon, duke kërkuar që ai të zëvendësohet në bisedime me dikë më të matur, disa orë pasi që zyrtarë të këtij shteti kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë testin e parë të armëve që nga dështimi i negociatave bërthamore me SHBA-në.

Agjencia zyrtare verikoreane e lajmeve, KCNA ka cituar zyrtarin e lartë të ministrisë së Jashtme, Kwon Kong Gun duke thënë se askush nuk mund ta parashikojë gjendjen në Gadishullin Korean, po qe se SHBA-ja nuk tërhiqet nga “shkaku bazë”, që e detyroi Korenë Veriore të zhvillojë armë bërthamore.

Deklarata ka ardhur pak pasi që Korea Veriore ka bërë të ditur se lideri Kim Jong Un kishte mbikëqyrur testimin e një arme të re taktike, për të cilën KCNA shkruan se ka “një kokë të fuqishme bërthamore”, transmeton “Reuters”, raporton “Koha Ditore”.

Ishte ky testi i parë i armëve në Veri që kur dështuan bisedimet në Vjetnam midis Kimit dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trumpit, kah fundi i shkurtit, rreth kërkesave të kundërta të Koresë Veriore për heqjen e sanksioneve dhe të SHBA-së që Koreja Veriore të heqë dorë nga programi i saj bërthamor.