Botë

Evakuohen shkollat dhe metroja pas tërmetit në Tajvan

Një tërmet me intensitet prej 6.1 ballësh të Rihterit e ka goditur qytetin bregdetar të Hualienit në Tajvan të enjten, duke shkaktuar lëkundjen e objekteve dhe duke e ndalur përkohësisht shërbimin e metrosë në Taipei, kryeqytetin e ishullit, ndonëse nuk u raportua për dëme të rënda apo viktima.

Pamjet televizive shfaqën nxënësit duke u evakuuar prej shkollave, pas tërmetit më të rëndë në Tajvan këtë vit, ka bërë të ditur një zyrtar i shërbimit meteorologjik të ishullit. Rreth 100 njerëz u evakuuan prej një ndërtese në Taipei City, derisa dy njerëz u lënduan nga rënia e gurëve në qytetin turistik Hualien, ka bërë të ditur qeveria, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Presidentja Tsai Ing-wen bëri të ditur se shërbimi hekurudhor në Tajvanin Verior, që lidh Taipein dhe qytetin e afërm të Taoyanit, ishte suspenduar përkohësisht. Përmes llogarisë së saj zyrtare në “Facebook”, Tsai bëri të ditur se iu kishte kërkuar zyrtarëve “të mbledhin informata prej të gjitha pjesëve, për të parë nëse kishte dëme dhe për të reaguar sa më shpejtë të jetë e mundur”.