Digjet e gjallë pasi raportoi në polici se u ngacmua seksualisht nga drejtori Foto e publikuar nga BBC në Bangladesh, me leje të familjarëve

Digjet e gjallë pasi raportoi në polici se u ngacmua seksualisht nga drejtori

18 April 2019 09:28

Nusrat Jahan Rafi, u lye me vajguri dhe u dogj e gjallë në shkollën e saj në Bangladesh. Krejt kjo, vetëm pse raportoi në polici se drejtoi i shkollës së saj e ngacmoi seksualisht.

Ky raportim i kushtoi me jetë vajzës 19 vjeçare nga Feni. Siç raporton BBC, ky akt ngriti vëmendjen tek të tjerët se sa të dobëta janë në Bangladesh viktimat e ngacmimeve seksuale dhe sa pak të drejta kanë.

Ajo kishte raportuar se më 27 mars të këtij viti, drejtori e kishte thirrur në zyrën e tij dhe me të shkuar ajo, ai kishte filluar ta prekte në pjesë të ndryshme të trupit. Në polici kishte shkuar me ndihmën e familjes së saj, ditën kur ndodhi abuzimi, transmeton Koha.net.

Në Bangladesh, aq më pak në qyteza të vogla siç kishte jetuar Nusrat, raportimi i ngacmimeve seksuale sjellë pasoja. Viktimat shpesh përballen me paragjykime edhe pse ngacmimet janë në numër të konsiderueshëm.

Më 27 mars kur kishte shkuar në polici, megjithatë drejtori i shkollës u arrestua, por, gjërat u përkeqësuan për Nusratin. BBC raporton se një grup studentësh e politikanë vendas, disa prej tyre që njihnin edhe drejtorin u mblodhën në rrugë për të kërkuar lirimin e tij. Ata fajësonin Nusratin.

Familja thotë se shqetësoheshin për sigurinë e saj dhe disa ditë nuk shkoi në shkollë. Por më 6 prill, ditën kur vendosi t’i kthehej prapë shkollës, ndodhi më e keqja. Me të mbërritur në klasë, dikush dyshohet se e thirri Nysretin në katin më të lartë të shkollës, atje ku po e priste vdekja.

Disa persona, që tashmë janë arrestuar, të veshur me burka e kishin rrethuar dhe i kishin kërkuar ta tërheqë çështjen e raportuar kundër drejtorit. Ajo, me fjalë, kishte refuzuar dhe ishte vetëmbrojtur por grupi ia hodhi në trup vajgurin dhe i vunë flakën.

Shefi i Policisë për Hetime, Banaj Kumar Majumder, thotë se vrasësit e kishin planifikuar që kjo vrasje të dukej si vetëvrasje, por qe e kotë pasi dikush kishte raportuar më herët për rastin dhe vajza e cila thuajse ishte djegur e tëra, u shpëtua për pak minuta. Kishte arritur të japë një deklaratë të shkurtër pak minuta para vdekjes tragjike. Në spital, kishte mbërritur me 80% të trupit të saj të djegur. Në pamundësi për t’u trajtuar aty, u dërgua në Dhaka, por, në ambulancë ajo kishte ndërruar jetë pasi s’arriti t’u mbijetojë plagëve, transmeton Koha.net.

BBC në Bangladesh raporton se pas vdekjes së saj mijëra njerëz u mblodhën në qytetin Feni për funeral.

Deri tani, 15 persona janë arrestuar 7 prej tyre që dyshohet t’ia kenë vënë flakën. Mes tyre studentë që mbështetnin drejtorin. Drejtori vazhdon të mbetet në paraburgim.

Kryeministri Sheik Hasina ka takuar familjarët e viktimës dhe u ka premtuar mbështete në çdo aspekt, gjithashtu, ka kërkuar nga viktimat e dhunës seksuale t’i raportojnë padrejtësitë sepse çdo ngacmues do të ndëshkohet.

Një numër i madh i qytetarëve, kryesisht gra, protestuan në Bangladesh me ditë të tëra duke kërkuar drejtësi për viktimat.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme