Botë

Babai kërkon që Assange të ekstradohet në Australi

Foto: Reuters

Babai i themeluesit të faqes “WikiLeaks”, Julian Assange, i ka bërë thirrje qeverisë australiane që ta ndihmojë djalin e tij duke u kërkuar që ta kthejnë në vendin e tij të lindjes.

John Shipton, i cili jeton në Melbourne, kërkoi nga kryeministri australian, Scott Morrison, që të ndërhyjë në rastin e djalit të tij pas arrestimit që i ndodhi në Londër javën e kaluar.

Ai i tha një gazete australiane se kryeministri Morrison dhe Departamenti i Punëve të Jashtme duhet të bëjnë diçka për këtë çështje. “Kjo mund të zgjidhet në atë mënyrë që thjesht të gjithë të jenë të kënaqur. Ka pasur fjalë gjatë një takimi mes një senatori dhe një zyrtari të këtij departamenti se Juliani mund të ekstradohet në Australi”, tha ai.

Morrison kishte thënë më parë se Assange, i cili është ligjërisht qytetar i Australisë, do të marrë asistencë këshilluese, por nuk do të ketë trajtim të veçantë. Babai i Assanges tha se është shokuar kur ka parë se djali i tij është larguar nga ambasada e Ekuadorit në Londër.

“E pashë atë, mënyra se si e tërhiqnin zvarrë poshtë shkallëve, ai nuk dukej mirë. Unë jam 74-vjeçar dhe dukem më mirë se ai që është 47-vjeçar. Është vërtet një shok”, shtoi babai i tij.

Lideri i laburistëve në Britani të Madhe, Jeremy Corbyn, ka thënë se Assange duhet të përgjigjet lidhur me dyshimet për sulm seksual në Suedi, por se ekstradimi i tij në Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtohet mirë, transmeton Alsat M.